Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka kundërshtuar Gjykatën Speciale që nga fillimi kur ka dashur të formohej.
E në një nga seancat e Kuvendit, ai i kishte kërkuar kryetarit të Kuvendit në atë kohë, Jakup Krasniqit, që të mos lejonte vazhdimin e seancës dhe që të mos votohej për Gjykatën Speciale, përcjell Bota sot.
“Zoti kryetar, ju lutem, mos lejoni që të vazhdojë kjo seancë dhe të miratohet apo të votohet kjo rezolutë. Zoti kryetar, duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo rezolutë është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës, kjo rezolutë është kundër pavarësisë së Kosovës, mos e lejoni. Sot është mëngjesi më i rëndësishëm për Kosovën, mos e lejoni sepse edhe ju, edhe të gjithë ne do të biem pishman dikur por do të jetë vonë. Nuk kemi nevojë të shkojmë prapa tradhtisë por duhet ta ruajmë pavarësinë e Kosovës, ashtu siç i kemi shpallur. Kjo rezolutë vetëm interesat e klaneve të Hashim Thaçit i mbron, nuk mbron interesin e Kosovës, nuk mbron interesin e pavarësisë së Kosovës. Mos e lejoni zoti kryetar, Jakup Krasniqi, mos e lejo, mos e lejo, mos e lejo sepse nesër do të jetë vonë. Sot është mëngjesi më i rëndësishëm për ata që kanë punuar dhe luftuar qytetarët e këtij vendi, mëngjesi më i rëndësishëm, nyja, udhëkryqi, ja me Kosovën jashtë Serbisë, ja me Serbinë brenda Kosovës. Prandaj, vendosni për të parë, me Kosovën jashtë Serbisë, nuk ka duhet Serbia as në veri, as në parlamentin e Kosovës, është në duart e të gjithë deputetëve që sot të ndahen në mes të turpit dhe detyrës që e kanë si deputetë të parlamentit të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Selimi në Kuvend.
https://www.youtube.com/watch?v=m0ajml5JazI&feature=emb_title
Ndryshe, sot Policia e Eulex-it kanë bastisur shtëpinë e Jakup Krasniqit dhe ndaj tij është konfirmuar aktakuza nga Specialja dhe ai do të dërgohet në Hagë.