Ministria e Arsimit një ditë më parë ka publikuar rezultatet e testit “Pisa 2022”. Edhe kësaj radhe, Kosova nuk ka marrë ndonjë rezultat të mirë, pasi që ka pësuar rënie në rangim dhe përformancë.
Sipas rezultatetve të PISA 2022, Kosova është renditur e 76-ta për lexim nga 80 shtetet pjesëmarrëse, ajo për shkencës është radhitur e 77-ta nga 80 vendet pjesëmarrëse, teksa në matematikë ka dalë e 73-ta.
Eksperti i arsimit Xhavit Rexhaj ka thënë për se rangimi i ulët i Kosovës, është pasojë e Covidit por dhe faktit që arsimi në Kosovë, ende nuk është prioritet.
“Po vazhdon trendi i rangimit shumë të ulët të Kosovës, krahasuar me vendet tjera të botës. Mendoj se kjo është pasojë e Covidit, mënyrës se si kemi reaguar ndaj Covid-it në fushën e arsimit. Por dhe faktit që arsimi në Kosovë, ende nuk është prioritet i të gjithëve. Arsimi nuk duhet të jetë prioritet as i një ministrie, as i një Qeverie as i një partie, por i të gjithëve. Në mënyrë që të mund të bëjmë sado pak. Kjo sot në Kosovë, nuk po ndodh”, tha Rexhaj.
Rexhaj thotë se duhet rimenduar mënyra se si po organizohet arsimi. Mirëpo sipas tij këtë nuk duhet ta bëjë vetëm Qeveria, por Parlamenti i cili duhet të jetë bartës i këtij procesi.
“ Parlamenti duhet të jetë bartës i këtij procesi. Nuk mjafton një grup, duhet të gjithë. Arsimi është tepër i madh që të merret vetëm një grupacion, ose një sektor i shoqërisë. Rezultatet e PISA-s që u prezantuan sot dhe Raporti i Progresit tregojnë se çka duhet dhe si duhet të ia bëjmë, në mënyrë që të rishikojmë dhe ta stabilizojmë sistemin arsimor. Ka mënyra por duhet të ketë një marrëveshje mbarëkombëtare e të gjithë neve, që vertetë ta vendosim arsimin përpara. Ndryshe nuk ka shansa, do të vazhdojmë të mbesim këtu ku jemi dhe 100 vjet”, tha ai.
Ndërsa thotë se me çështjen e arsimit duhet të merret Parlamenti dhe se arsimi të bëhet prioritet kombëtar. Ndryshe thotë se Kosova do të vazhdojë të dështojë në sektorin e arsimit.
“ Shifrat e testit PISA tregojnë që po vazhdojmë të dështojmë dhe s’kemi qare pa iu kthy njëherë në mënyrë të mirfilltë arsimit, jo vetëm me fjalë të thata. Nuk ka zgjidhje tjetër, pos që arsimi të bëhet prioritet kombëtar. Nuk mjafton asnjë Qeveri, asnjë ministri asnjë parti, duhet Parlamenti”, tha ai.
Rexhaj pohon se sipas shifrave të PISA-s fëmijet në Kosovë prej 13 viteve, 5.7 vjet nuk mësojnë asgjë. Dhe se përkundër të dhënave ai thotë se sa keq është Kosova në arsim, nuk po duan ta shohin mësimëdhënësit, prindërit, komunat dhe as Qeveria.
“Këto shifra janë shumë të sakta, që në Kosovë fëmijet prej 13 viteve, 5.7 vite nuk mësojnë asgjë. Të gjitha të dhëna ekzistojnë. Krejt është çështja se ne nuk po duam ta shohim këtë, as mësimdhënësit as prindi as zyrtari komunal, as menaxhmenti i shkollës, as Qeveria. Këtu është halli, ne nuk po duam ta shohim sa keq jemi në arsim”, tha ai./Indeksonline