Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar rikthimin e fruthit në vend, me 23 raste të diagnostikuara që nga data 5 maj deri më sot, 30 maj 2025.
Gjatë muajit prill nuk është raportuar asnjë rast i fruthit, por përhapja e virusit ka nisur në fillim të këtij muaji, duke vënë në alarm autoritetet shëndetësore.
IKSHPK në një përgjigjje për IndeksOnline ka bërë të ditur se grupmosha më e prekur është ajo e fëmijëve 1-2 vjeç, që përbëjnë rreth 70% të rasteve të raportuara. Ndërkohë, pjesa tjetër prej 30% përfshin fëmijë të moshave 3 deri në 5 vjeç dhe mbi 6 vjeç.
Komuna më e prekur është Ferizaj, ku janë konfirmuar 14 raste. Rastet e tjera janë regjistruar në Prishtinë (4), Shtime (2), dhe nga një rast në Fushë Kosovë, Kaçanik dhe Lipjan.
IKSHPK u bën thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët, duke rikujtuar se vaksina MMR (kundër fruthit, rubeolës dhe shytave) është masa kryesore mbrojtëse.
Kjo vaksinë jepet në dy doza: e para në moshën 12 muajshe dhe e dyta në moshën 6-vjeçare.
Autoritetet gjithashtu rekomandojnë respektimin e higjienës personale dhe kolektive, mirëmbajtjen e ambienteve në çerdhe dhe shkolla, si dhe shmangien e kontakteve me persona të infektuar.
“Masa kryesore mbrojtëse është vaksinimi me vaksinën MMR (kundër Fruthit, Rubellës dhe Shytave), e cila jepet në dy doza: Doza e parë në moshën 12 muajshe dhe doza e dytë me moshën 6 vjeçare. Krahas kësaj, rekomandohen masa të higjienës personale e kolektive, mirëmbajtje e kopshtëve e shkollave në aspektin higjienik dhe shmangien e kontaktëve me personat e infektuar”, ka thënë IKSHPK për IndeksOnline.
Më të rrezikuarit nga fruthi mbeten fëmijët që nuk janë vaksinuar, veçanërisht ata që nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës dhe që kanë udhëtuar apo kanë qenë në kontakt me persona të infektuar, brenda ose jashtë Kosovës.
“Vaksina MMR është e sigurt dhe shumë efektive. Ajo është në përdorim që mbi 60 vjet në mbarë botën, ndërsa në Kosovë nga viti 1971”, thuhet në apelin e IKSHPK.