fbpx

Roman eseistik me stil të veçantë

nga Revista Kosovarja

Shkruan: Adil Pireva

Shkrimtarët e shquar kanë stil të veçantë shkrimi dhe studiuesi, por edhe lexuesit e pasionuar dhe të talentuar mund të dallojnë shkrimin letrar të akcilit poet apo romansier, edhe pa e parë emrin e mbiemrin e autorit të poezisë apo romanit. Poeti e romansieri Fehmi Pireva ka arritur të krijojë dhe të formësojë stilin e tij të dallueshëm.

Ky stil, fillimisht, është formësuar, gradualisht, në katër përmbledhjet e poezive për fëmijë dhe të rritur: “Albumi i hënës”, poezi për fëmijë, botuar më 2015; “Kjo mjegull”, poezi për të rritur, botuar më 2016; “Piktori i qiellit”, poezi për fëmijë, botuar më 2017; “Dashuri e qelqtë”, poezi për të rritur, botuar më 2018; “Libri me shije çokollate”, poezi për fëmijë, botuar më 2021.

Pastaj, në pesë romanet për të rritur: “Prerja e frikës”, botuar më 2019, “Nëpunësi i Kuvendit”, botuar më 2022, “Vdekja nga letrat”, botuar më 2023, “Qentë e Gërmisë”, botuar më 2023 dhe romani i fundit “Ura mbi Ibër”, botuar më 2024.

Romanet e Fehmi Pirevës lexohen me një frymë
Romanet e Fehmi Pirevës nuk kanë ndonjë vëllim të madh, mesatarisht 120 deri 140 faqe të librit të botuar, por janë tërheqëse për lexuesit dhe lexohen, siç thuhet, me një frymë, pikërisht iu përgjigjen romaneve të xhepit të letërsive të mëdha amerikane, angleze e franceze, që lexuesit e pasionuar i marrin në xhep për t’i lexuar në autobusë apo trena gjatë udhëtimeve për në punë apo gjatë kthimeve nga puna.

Këto romane janë të përshtatshme të botohen edhe në vazhdime në gazeta e revista, si fejtone shumë atraktive…

E, t’i kthehemi romanit të fundit, “Ura mbi Ibër”. Tema e këtij romani është qyteti i Mitrovicës me krajatat e saj dhe të popullit shqiptar gjatë shekujve. Qytet i vjetër që nga koha ilire, i pagëzuar me emrin e perëndeshës ilire Dhemetra, me kuptim Nëna tokë, pastaj me emrin e Shën Dhimitrit, Shën Mitrit, që përfundon në Mitri.

Qyteti shtrihet brenda tre lumenjve: Ibrit, Lushtës dhe Sitnicës.
Kalaja e Zveçanit, një raritet historik, i ndërtuar nga një fis ilir, ndër më atraktivët për turistë.

Pushtimi i Perandorisë romake e bën Mitrovicën qytet metalesh, duke nxjerrë metalet e arit dhe argjendit nga xeherorja e Trepçës.

Mitrovica gjatë shekujve përjeton pushtime të pareshtura, të njëpasnjëshme. Përjeton asimilime, tkurrje…

Pas rënies së Bizantit vjen pushtimi otoman, gjatë të cilit mbi lumin Ibër ngrihet një vig druri, i cili, pastaj, bëhet një urë druri më e qëndrueshme, e tek më vonë ndërtohet me gurë e metal, e qëndrueshme për të kaluar edhe makinat e rënda.

Isa Boletini me komitët e vet ia kthen pushkën Turqisë. Kryengritjet dhe luftërat kundër pashallarëve turq dhe gjeneralëve serbë krijuan urrejtje të shqiptarëve kundër pushtuesve, sidomos kundër pushtuesve serbë.

Dhe, përderisa urrejtja e shqiptarëve ishte e natyrshme, urrejtja e serbëve pushtues kundër shqiptarëve vendas ishte patologjike dhe sadiste. Shfaqet rivaliteti i turqve dhe austro-hungarezëve për tokat shqiptare.

Çdo pushtim nuk është i mirëseardhur, por pushtimi austriak paraqitet nga autori më qytetëruesi, respekton dhe vlerëson kombin shqiptar, hap shkollat shqipe, preferon administratën shqipe. Në kundërshtim të papajtueshëm me pushtimet turke dhe serbe, të cilat qenë gjenocide, masakruese dhe asimiluese, që praktikojnë ndërrimin me dhunë të feve, kombeve.

Pas Luftës së Dytë Botërore komunistët jugosllavë shpallën një harmoni të rreme njerëzore e kombëtare nëpërmjet parullës Bashkim-Vëllazërim.
Por, “ujku qimen e ndërron, e hujin kurrë”, thotë një fjalë popullore.

Nëpërmjet një figure kriminale të Rankoviqit, Serbia pretendon që Jugosllavinë ta bëjë Serbi dhe gjithë popujt jugosllavë t’i asimilojë në serbë.
Ndërkaq, për shqiptarët vazhdoi aty ku e kishte lënë Kralevina…

Dashuria ndërmjet dy armiqve…

Autori i romanit gjen mundësinë që nëpërmjet të një dashurie platonike të dy të rinjve idealistë, të krijojë një pikë afrimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Femra serbe, Jelena, e shqiptari, Hysniu, dashurohen marrëzisht në njëri-tjetrin dhe duan të martohen.

Por, gjaku ujë nuk bëhet. Babai i vajzës e kishte rrahur babanë e djalit dhe kishte vrarë gjyshin e tij.

Andaj, nuk kishte se si të pajtoheshin të dy familjet që të martoheshin këta të rinj.

Dhe, duke mos gjetur asnjë shteg, vajza varë veten, pikërisht në urën mbi Ibër dhe përfundon në lum, kurse shqiptari, Hysniu, tretet në Anadollin e pushtuesit shekullor turk.

“Ura mbi Ibër” – një nga romanet më të mirë në letërsinë shqipe

Romani “Ura mbi Ibër” na i përkujton të gjitha legjendat e urave shqiptare, si “Urën e Fshejtë”, “Urën me tri harqe” të Ismail Kadaresë dhe urat e tjera ballkanike.
Ngjashmëritë nuk përjashtohen, por përplotësojnë njëra-tjetrën.

Sidoqoftë, romani “Ura mbi Ibër”, pa dyshim, është ndër romanet më të mirë në letërsinë shqipe.

Andaj, duhet të përkthehet, patjetër, në anglisht dhe frëngjisht, që të na prezantojë denjësisht në letërsinë botërore.

Për fund, jam krenar që isha lexuesi i parë i këtij romani dhe shfrytëzova rastin t’i shkruaj këto mbresa të mia…
Prishtinë, janar, 2024.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]