fbpx

Sa shqiptarë, aq bajraktarë!

nga Revista Kosovarja

Ky shkrim mund të mos nënshkruhet me emrin tim. Janë fjalë të nxjerra nga shkrimet, mendimet e të tjerëve. I nxora me qëllim fjalë të thëna edhe para njëqind vitesh, por që vlejnë edhe sot të përmenden, të rikujtohen…

Kush ishim, ku jemi, kah po shkojmë?
Pyetje këto i dëgjon jo rrallë në muhabetet tona, në dialogët me njëri-tjetrin.
Ne i kemi shkruar me gjakun tonë mjaft faqe të historisë jo vetëm të Evropës…
Vlen të përmendim faktin se shqiptarët i kanë dhënë Turqisë hiç më pak se 35 kryeministra në katër shekuj e gjysmë dhe një numër të madh komandantësh ushtrie e diplomatësh. Shqipëria i ka dhënë edhe një mbret Egjiptit dhe jo vetëm këtë.
Një gjë e tillë e shqiptarëve në shtetet e huaja ka qenë gati përherë dhe vazhdon të jetë edhe sot.

Sa shqiptari është nëpër botë që kontribuon në sfera të ndryshme të jetës?!
Nuk janë të paktë ata shqiptarë që i njeh bota… Për shqiptarët janë shkruar faqe e faqe, jo vetëm nga studiuesit e ndryshëm ndërkombëtar, por edhe nga të shumtë gjeneralë e politikanë të shteteve të ndryshme të botës.
Lord Bajroni shkruante: “Shqiptarët me kostumet e tyre bëjnë një peizazh më të mrekullueshëm në botë… Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukura që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre…”.
“Shqiptarët janë banorë më të vjetër të Gadishullit Ballkanik, gjegjësisht të racës ariane, duke nxjerr këtë fjalë nga dy rrënjët e fjalëve shqipe: ar dhe anë, që d. m. th., njerëz të arit të pastër”, shkruan Edvin Pears.
Për karakterin e tiparet tona ishim të veçantë dhe na lakmonte shumëkush.
U bëmë ballë të gjitha sulmeve shekullore, nga sulmet e romanëve, nga Perandoria Otomane, sulmet e sllavëve, të cilat na tkurrën e na lanë të shpërndarë në pesë copë jashtë atdheut. Janë munduar të na e zhdukin prej faqes së dheut dhe emrin shqiptar. Hiç më pak se 600 vjet okupimesh. Dhe, s’arritën të na zhdukin, mbetëm këta që jemi sot…
Por, e keqja edhe sot vlen thënia e të madhit Konica se armiku i shqiptarit është shqiptari. Apo edhe fjalët e Ali Pashës: “Unë jam mbret i dy milionë mbretërve”.
Secili po është mbret për njëri-tjetrin.
Secili bajraktar.
Sot në paqe e në liri, përditë po zbehet nga një e mirë shqiptare, e karakterit, e tipareve, e virtyteve, madje edhe i kostumeve të identitetit tonë.
Dhe, vërtet, siç pyesin e thonë jo pak vetë sot:
Kush ishim, ku jemi, kah po shkojmë?
Gani Dili

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]