Shumë gra dhe vajza përballen me sekrecione të bardha vaginale gjatë ciklit të tyre mujor, por jo gjithmonë dihet nëse kjo është një dukuri normale apo një tregues i një problemi shëndetësor.
Mjekët gjinekologë sqarojnë se në shumicën e rasteve, sekrecionet e bardha janë pjesë e natyrshme e ciklit menstrual. Ato shfaqen më shpesh gjatë ovulacionit, përpara menstruacioneve apo gjatë shtatzënisë, për shkak të luhatjeve hormonale. Konsistenca dhe ngjyra e tyre mund të ndryshojnë gjatë muajit dhe kjo është krejt normale.
Gjithashtu, edhe gjatë eksitimit seksual, trupi prodhon më shumë lagështi për lubrifikim, gjë që ndonjëherë ngatërrohet me një çrregullim.
Por, specialistët theksojnë se jo gjithmonë duhet të neglizhohet prania e tyre. Nëse sekrecionet:
marrin erë të pakëndshme,
janë të trasha dhe me ngjashmëri me djathin e bardhë,
shoqërohen me kruarje, djegie apo skuqje,
kanë ngjyrë gri, të verdhë apo jeshile,
atëherë mund të jenë shenjë e infeksioneve si Candida, vaginoza bakteriale apo ndonjë sëmundje seksualisht e transmetueshme.
Gjinekologët rekomandojnë që çdo ndryshim i pazakontë në sekrecione duhet të shoqërohet me një vizitë tek mjeku specialist, për të shmangur komplikimet e mundshme dhe për të marrë trajtimin e duhur në kohë.
“Shëndeti riprodhues është një nga pasuritë më të mëdha që një grua ka. Kujdesi i vazhdueshëm dhe kontrolli i rregullt gjinekologjik janë çelësi për një jetë të shëndetshme,” – shprehen mjekët.