fbpx

Serbia i atribuon vetes sukses diplomatik: “Hoqëm nga rendi i ditës anëtarësimin e Kosovës në KiE”

nga Revista Kosovarja

Serbia pretendon se ka korrur “sukses diplomatik” duke e hequr nga agjenda e ditës diskutimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Sekretari i ministrisë serbe të jashtme, Nemanja Staroviç, i tha televizionit publik serb se kanë punuar intenzivisht që ta heqin nga rendi i ditës diskutimin për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Aplikacioni që Kosova ka dorëzuar qysh më 12 maj të këtij viti për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, ende nuk ka hyrë në procedurat e trajtimit të lartë, ndonëse matematikisht numrat janë në favor të Kosovës: 2/3 e anëtarëve të KiE-së e pranojnë pavarësinë e Kosovës, dhe ka pasur mbështetjet vokale për anëtarësimin e Kosovës.

Gjithashtu, veçanërisht në favor të Kosovës ishte përjashtimi i Federatës Ruse nga kjo organizatë pas invazionit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

“Kemi punuar shumë, dhe atë që shohim si rezultat është një fitore e vogël diplomatike për Serbisë. Dje filloi diskutimi për kërkesën e Prishtinës për anëtarësim në Këshill të Evropës, por ia dolëm mbanë të shmangim çdo deklarim, dhe pavarësisht dëshirave të Prishtinës dhe mbështetësve ndërkombëtarë të saj, procedura e pranimit nuk ka nisur”, u shpreh zyrtari serb.

Megjithatë, ai tha se “Serbia nuk duhet të relaksohet”, ngase është mëse e mundshme që diskutimi të rinis në periudhën në vijim.

Përtej kësaj, ndonëse ky zyrtar serb thotë se numrat qëndrojnë në anën e Kosovës, ai pretendon se Serbia ka argumentet e saj, dhe se “edhe vendet që njohin pavarësinë e Kosovës pranuan argumentet tona për ta shtyrë debatin”.

Argument, sipas tyre, është se pranimi i Kosovës në këtë organizatë, “do të ishte shkelja e statutit të organizatës së KiE-së” ngase Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij, Kosovë “i mungon mbështetja e mbi 100 shteteve të OKB-së”, derisa numëron edhe, siç pretendon ai, çnjohjet ndaj Kosovës që Serbia supozon t’i ketë arritur në nivelin ndërkombëtar.

Zëdhënësi i Këshillit të Evropës, Daniel Holtgen, nuk dha përgjigje as pohuese e as mohuese se a ishte apo jo në agjendë diskutimi të ditës kërkesa e Kosovës për anëtarësim në KiE.

Ai tha se “është çështje konfidenciale”.

“Ne dëshirojmë të tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë”, i ka thënë ai Klan Kosova-s.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]