fbpx

Shala: Kompensimi i dyfishtë i gjyqtarëve dhe prokurorëve që marrim pjesë në panele hetimore nuk është në harmoni me Ligjin për Pagat

nga Revista Kosovarja

Gzim Shala, hulumtues i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se neni për kompensimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që marrin pjesë në panele hetimore nuk është në harmoni me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe se i bie që ata të kompensohen dyfish.

Këtë deklarim, Shala e bëri të martën gjatë prezantimit të raportit të IKD-së me titull “Llogaridhënia”, i cili trajton problemet kushtetuese dhe ligjore të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (LPDGjP).

Ai tha se neni 12.3. i Projektligjit, përcakton se anëtarët e panelit hetimor do të kenë kompensime për punën në panel hetimor dhe zvogëlim proporcional të normës së lëndëve në punën e tyre si gjyqtarë ose prokurorë, si dhe siguron ndihmë administrative dhe profesionale për panelin hetimor.

“Në këtë situatë, anëtarët e panelit hetimor përfitojnë dyfish për punën e tyre. Të njëjtit derisa janë gjyqtarë, respektivisht prokurorë, marrin pagën e tyre të plotë. Por, për shkak të angazhimeve në Panel Hetimor, të njëjtit nuk e kryejnë punën sikurse të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë, për shkak se përfitojnë zvogëlim proporcional të normës së lëndëve”, tha Shala.

Sipas tij, kjo është në kundërshtim edhe me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, andaj tha se IKD rekomandon që neni në fjalë të riformulohet, në atë mënyrë që anëtarët e paneleve hetimore të përfitojnë vetëm zvogëlim të normës së lëndëve, dhe atë vetëm proporcionalisht sipas ngarkesës që kanë pasur me këto raste, e jo edhe kompensim për punën e tyre në panele.

Shala tha se raporti trajton edhe ndikimin e mjeteve juridike në përgjegjësinë disiplinore, për çka tha se në nenin 5 dhe 6 të ligjit bazik janë listuar shkeljet disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, që të konsiderojnë se janë të kuptueshme dhe mjaftueshëm të qarta.

Por sipas tij, në praktikë, IKD ka gjetur se në trajtimin e ankesave disiplinore, autoritetet kompetente, panelet hetimore dhe vetë Këshillat, kanë amnistuar shkelje të shumta disiplinore, qoftë të gjyqtarëve apo prokurorëve, duke u arsyetuar në faktin se pala ka të drejtë të aplikojë mjetet juridike ndaj vendimeve të caktuara, përkundër që në disa situata, aplikimi i tyre, pa marrë parasysh vendimin e instancës tjetër, nuk do të sanonte dëmet e shkaktuara.

“IKD rekomandon që në të dy nenet të shtohet edhe nga një paragraf shtesë, përkatësisht në nenin 5 të shtohet një paragraf i ri me këtë formulim: “E drejta e aplikimit të mjeteve juridike ndaj veprimit të gjyqtarit, nuk përjashton përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarit”, derisa në paragrafin 6 të shtohet një paragraf i ri me këtë formulim: “E drejta e aplikimit të mjeteve juridike ndaj veprimit të prokurorit, nuk përjashton përgjegjësinë disiplinore të prokurorit”, theksoi Shala.

Paraprakisht, Shala foli edhe për publikimin e vendimeve, për çka tha se Projektligji duhet të përcaktojë se të gjitha vendimet e Autoritetit Kompetent duhet të jenë në formë të shkruar dhe të përmbajnë arsyet mbi vendimin dhe këshillën juridike, të cilat publikohen pa vonesë, por jo më vonë se 15 ditë nga Gjykata apo Prokuroria përkatëse në faqen e tyre zyrtare.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), të martën publikoi raportin “Llogaridhënia” (Problemet kushtetuese dhe ligjore të Projektligjit aktual).

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]