Familja e Liridona Ademajt ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për të urdhëruar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, për Tëvë 1, ka shprehur zhgënjimin e thellë të familjes dhe ka vlerësuar këtë hap si një përpjekje për të vonuar procesin gjyqësor.
“Së pari, faleminderit shumë për angazhimin tuaj. Sa i përket rastit, për ne si familje ka qenë tepër e rëndë humbja e Liridonës. Ne presim që ky hap procedural, që është kërkuar prej mbrojtjes së të akuzuarit, të përfundojë sa më shpejt,” ka deklaruar Leonard Ademaj.
Ai e ka cilësuar kërkesën për ekzaminim psikiatrik si një tendencë për të “zvarritur dhe keqpërdorur hapat procedurale”, duke shtuar se shfrytëzimi i mjeteve ligjore për të shmangur përballjen me drejtësinë vetëm sa dëshmon, sipas tij, fajësinë e të akuzuarit.
“Konsiderojmë se kjo është një përpjekje për të shmangur gjykimin përmes keqpërdorimit të procedurave. Nuk e kundërshtojmë që të kryhen ekzaminimet, por ato flasin vetë për fajësinë e të akuzuarit dhe shfrytëzimin e të gjitha mjeteve – brenda e jashtë dispozitave ligjore,” ka shtuar Ademaj.
Familja kërkon që procesi gjyqësor të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme dhe që drejtësia të vihet në vend për humbjen tragjike të Liridonës.