Një shpërthim ndodhi sot në oborrin e minierës së “Trepçës” në Stan Tërg, ku gjatë procesit të zbrazjes së hirit nga një cisternë, shpërtheu kapaku i kamionit.
Fatmirësisht, nuk u raportua për të lënduar nga ky incident.
Nga shoqëria aksionare “Trepça” pohojnë se incidenti ndodhi gjatë orës 10:15, gjatë lidhjes së zorrës së kamionit.
“Menjëherë është ndërhyrë nga ekipi teknik, janë kryer kontrollet e nevojshme dhe është konstatuar se pajisjet ndihmëse (gypi i sillosit dhe zorra e zbrazjes) ishin funksionale. Sipas vlerësimeve fillestare, shkaktari i mundshëm është dobësimi i bulonave të kapakut, që ka lejuar rritjen e presionit dhe dëmtimin e tij”, thuhet në njoftim./Indeksonline
Ky është njoftimi i plotë:
Njoftim sqarues
Më datë 04.06.2025, gjatë ndërrimit të parë, rreth orës 10:15, ka ndodhur një incident teknik i lehtë gjatë procesit të zbrazjes së hirit nga një cisternë transportuese në ambientet operative të Trepça Sh.A.
Gjatë kyçjes së zorrës së kamionit, është dëgjuar një zhurmë në pjesën e sipërme të cisternës dhe është konstatuar dëmtimi i kapakut, duke sjellë daljen e një sasie të vogël hiri në sipërfaqe dhe krijimin e një shtrese pluhuri para objektit.
Menjëherë është ndërhyrë nga ekipi teknik, janë kryer kontrollet e nevojshme, dhe është konstatuar se pajisjet ndihmëse (gypi i sillosit dhe zorra e zbrazjes) ishin funksionale. Sipas vlerësimeve fillestare, shkaktari i mundshëm është dobësimi i bulonave të kapakut, që ka lejuar rritjen e presionit dhe dëmtimin e tij.
Fatmirësisht, nuk është raportuar asnjë lëndim dhe asnjë dëm material. Pas ndërhyrjes teknike, pajisja është rikthyer në funksion të rregullt dhe puna ka vazhduar normalisht.
Trepça Sh.A. mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të standardeve të sigurisë teknike dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të proceseve prodhuese.