Një shtetas i huaj është evakuar me sukses pas një operacioni të kërkim-shpëtimit në zonat malore të Prizrenit, pas lëndimeve që kishte pësuar gjatë një aktiviteti në natyrë.
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka konfirmuar përfundimin me sukses të këtij misioni, ku bashkë me Zjarrfikësit e Prizrenit dhe punonjës të pylltarisë, kanë arritur të lokalizojnë dhe ta nxjerrin të lënduarin në një zonë të sigurt.
“Operacion me sukses. Pas një operacioni të shpëtimit, në bashkëpunim me Zjarrfikësit e Prizrenit dhe punonjësit e pylltarisë, kemi arritur të lokalizojmë dhe evakuojmë me sukses shtetasit e huaj të lënduar,” thuhet në komunikatën e publikuar nga Shoqata.
Pas evakuimit, i lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Prizrenit.
Nga vendngjarja janë publikuar edhe fotografi, ku shihet momenti i evakuimit të shtetasit të huaj nga ekipet e shpëtimit.