fbpx

Shqipëria çon në Këshillin e Europës rezolutën kundër Dick Marty

nga Revista Kosovarja

Shqipëria ka dorëzuar në Strasburg rezoluten e parlamentit të vendit tonë të miratuar me 21 korrik e cila synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin e organeve të qenieve njerëzore nga drejtuesit e UKÇ gjatë luftës në Kosovë, pretendime të cilat u ngriten në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty në 2010.

Misioni i Përhershëm i shtetit shqiptar i kërkon vendeve anëtarë të Këshillit të Europës që këtë dokument t’ua vendosin në dispozion edhe qeverive të tyre, hap i nevojshëm që më pas të nisin procedurat për ta futur në axhendën e këtij institucioni ndërkombëtar.

“Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i kërkohet të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë” thuhet në dokumentin shoqërues.

Sipas Këshillit të Eropës një mocion për rekomandim apo rezolute duhet të firmoset nga të paktën 5 delegacione kombëtare që më pas të miratohet nga komisioni dhe hapi i fundit të diskutohet në Asamblenë Parlamentare.

Me votat e 125 deputetëve me 21 korrik 2022, Parlamenti i Shqipërisë i kërkon Këshillit të Europës që të rrëzojë akuzat e senatorit zviceran Dick Marty për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë pasi mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte dhe, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]