Një surprizë romantike i dogji shtëpinë, 26-vjeçarit me origjinë shqiptare Albert Ndreu në Britaninë e Madhe. Ngjarja ka bërë bujë në mediat e huaja.
Alberti do i propozonte për martesës të dashurës së tij, Valerija Madeviç, me një dekor romantik me mbi 100 qirinj në sallonin e shtëpisë ku ata bashkëjetojnë në Sheffield në Angli.
Alberti ndezi qirinjtë dhe doli për të marrë të dashurën nga puna, në mënyrë që ajo t’i gjente ndezur kur të hynte në shtëpi. Por në kthim ata panë që nga larg tymin në banesën e tyre dhe njoftuan zjarrfikësit.
26-vjeçari nuk e humbi veçantinë e momentit dhe propozimin ia bëri sërish surprizë në banesën e tyre të djegur. 22-vjeçarja tha Po.
Ata kanë vendosur që në ceremoninë e martesës të ftojnë edhe zjarrfikësit që shuan flakët në shtëpinë e tyre në shenjë falenderimi.