fbpx

Si u bë Aljona Aliajdaraj-Jonuzi psikologjia më e suksesshme shqiptare?

nga Revista Kosovarja

Aljona Aliajdaraj-Jonuzi, është psikologe e njohur dhe në fushën e saj të veprimtarisë ofron seanca individuale në zyrën e saj në Tiranë, por edhe seanca me video-call.

Për psikologji ka studiuar në Universitetin PFUR në Moskë, ku ka marrë edhe gradën Doktor dhe sot rangohet si një nga psikologet më të mira shqiptare

Aljona Aliajdaraj-Jonuzi, ka një përvojë te gjatë praktike të ushtrimit të profesionit dhe është e jashtëzakonshme në punën e saj.

Më shumë për të dhe punën e saj, zbuloni në këtë intervistë dhënë ekskluzivisht për “Kosovaren”.

Aljona, a mund të na flisni pak më shumë për veten?
Patjetër që po. Nëse gjykoni rrugëtimin tim me një sy nga jashtë, do të mendoni se kam pas shumë fat në jetën time, por doja të ndaloja paksa te forma se si është zhvilluar ky rrugëtim. Në fakt, nuk ka qenë aspak e lehtë. Kam lindur në Prishtinë, e kur sapo mbusha dy muajsh, familja ime nisi shpërnguljen në shumë shtete të botës. Për shkak të punës së babait tim, kemi jetuar në shtete të ndryshme. Jo gjithçka ka qenë kaq fjollë, pasi jam detyruar të ndërroj shkolla, shoqërinë, klimën etj… Disa nga shtetet ku kam jetuar janë Brazili, Mongolia, Serbia, Kuba, Rusia dhe së fundmi, Shqipëria. Në pamje të parë duket diçka e bukur, por ka qenë një sprovë e vërtetë, sepse jeta të ndryshon kryekëput. Unë vij nga një familje që si çelës suksesi ka pasur dashurinë dhe falë kësaj, kemi kapërcyer çdo sidë.

Ku i keni përfunduar studimet tuaja në degën e psikologjisë dhe prej sa vitesh ushtroni aktivitetin tuaj në këtë fushë?
Në vitin 2003 kam nisur studimet në Moskë për Psikologji me gradën “Bachellor” dhe jam diplomuar në vitin 2007. Më pas, kam mbaruar 2 vjet master dhe 4 vjet kam mbrojtur doktoraturën. Si psikologe kam nisur punë në vitin 2009 në Moskë, e që atëherë, s’kam reshtur së punuar në këtë profesion kaq të dashur për mua.

Pse zgjodhët Rusinë për studime?
Në fakt, kjo nuk ishte zgjedhja ime, por rastësia e deshi meqë aty punonte momentalisht babai im. Kam qenë e detyruar të përshtatem me të gjitha shpërnguljet.

Keni marrë gradën doktor në këtë fushë. A ka qenë sfiduese kjo?
Çdo vit shkollor ka qenë një sfidë e vërtetë, së pari sepse çdo lëndë kryhej në rusisht. Ndihesha e huaj, por kur u shpalla për të disatën herë studentja e vitit falë studimeve të shumta, të gjitha këto vështirësi harroheshin. Kur diçka e bën me dashuri dhe e ndien vërtet, i kapërcen të gjitha.

Sot ju punoni si psikologe e afirmuar në Tiranë. Ndiheni e përmbushur?
Po, në gusht të vitit 2013, së bashku me bashkëshortin vendosëm të shpërnguleshim në Tiranë. E pikërisht në Shqipëri u përballa me vështirësinë më të madhe, pasi nuk kisha studiuar asnjë ditë të vetme në gjuhën shqipe. Shkrimi im apo e folura letrare linin për të dëshiruar. Por sfida më e madhe ishte pikërisht “tabuja” që kanë vendet e Ballkanit për të shkuar te psikologu. Jam përpjekur që përmes punës sime apo edhe faqes sime në Instagram të ngul këmbë më shumë te kultura e vizitës te psikologu. Nuk është turp të tregosh dhe të shprehesh për çka ju e gjykoni të pazakontë, por që për ne është krejt normale. Po, ndihem e përmbushur, pasi disi ia kam arritur këtij qëllimi.

Çfarë e bën punën tuaj të veçantë apo ndryshe?
Për këtë besoj se duhet të pyesni klientët, por mund të them diçka: cilido qoftë ai që vjen të më takojë, unë shoh si një partner në bisedë, gjë që lehtëson kontaktin për të dyja palët. Përpiqem t’i shpjegoj gjërat me thjeshtësi, pa ua ngarkuar kokën me terma të çuditshme.

Cila është një nga cilësitë tuaja të mira që do të donit ta veçonit e ta ndanit me lexuesit?
Do të doja shumë që të më shohin si një prej tyre, një njeri që po si ata, ka dëshirë të punojë me veten pa pushuar.

A ia dalin klientët të zgjidhin problemet e tyre përmes seancave me ju?
Patjetër që po, gjithnjë nëse bashkëpunojnë. Nëse janë të hapur dhe janë vetvetja, me çdo psikolog mund të arrish gjëra që në dukje të duken të pamundura, sikur nuk del dot nga ajo humnera ku ke rënë.

A ka ende paragjykime për të vizitat te psikologu?
Patjetër që po. Siç ju përmenda dhe më lart, në vendet e Ballkanit është ende tabu roli i psikologut. Ekziston ende frika nga paragjykimi dhe etiketimi si “i çmendur”. Në shumë raste, nuk bëhet dallimi mes psikologut dhe psikiatrit.

Cilat janë arsyet më të forta që duhet të na drejtojnë te psikologu?
Nuk dua t’i cilësoj si të forta apo të dobëta. E kam të rëndësishme të them se çdokush që vlerëson, respekton dhe e do veten duhet të shkojë te psikologu për t’u përmirësuar e këtu mund të përfshij tematika si: marrëdhëniet në çift, me familjen, shoqërinë, por edhe edukimin e fëmijëve. Pastaj, nëse flasim për vetëbesimin, ankthin, depresionin, që së fundmi janë gjithnjë në shtim e në krye të çdo debati, patjetër që nevojitet ndihma e psikologut.

Cila është jeta juaj përtej profesionit?
Përtej profesionit, Aljona është vajzë, motër, nuse dhe nënë. Pasi mbaroj oraret e shumta, përqendrohem plotësisht te familja ime: te bashkëshorti dhe djali. Sa herë që kemi pushime, vij edhe në Kosovë për të vizituar mamin, vëllain me familjen e tij dhe të afërmit. Bashkëshorti im është gjithashtu mjek dhe e kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë.

Cila është arma juaj më e fortë në jetë?
Arma ime më e fortë është forca dhe dashuria që ka pasur im atë për mua. Ai sot nuk jeton më, por unë kam arritur gjithçka falë sakrificës së dy prindërve të mi. Çdo arritje timen ia kushtoj atij e pikërisht te figura e tij e gjej forcën për të ecur përpara.

Na thuaj diçka pa të cilën nuk do të mundeshe dot?
Nuk do të duroja dot pa familjen time, pa mbështetjen e njerëzve të dashur, pa shoqërinë time, pa bërë një shëtitje, e pse jo, nuk do të rrija dot edhe pa kërcyer.

Çfarë ka mbetur tani në fund pa u thënë?
Do të doja shumë që ne, të gjithë shqiptarët e Ballkanit të fillojmë të vlerësojmë më shumë veten dhe shëndetin mendor. Duhet të kuptojmë se nuk është turp të shkosh te psikologu dhe të punosh me veten. Nëse ndryshojmë veten, ndryshojmë botën përreth.

Për termine dhe detaje, kontaktoni me psikologen në faqen e saj në Instgram

Nderim Neziri

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]