Me autobusin numër 4 të Prishtinës, pensionistë të shumtë ia mësyjnë Gërmisë, që në orët e para të mëngjesit dhe kthehen diku rreth orës 9 për në Prishtinë.
Në autobus, deshe a s’deshe, dëgjon gjithçka nga pensionistët. Këtë herë ja se çka shënova në notesin tim…
Autobusi numër 4, e që qarkullon nga Mati nëpër qytet e deri në pishinën e Gërmisë, në orët e para të mëngjesit është i mbushur, kryesisht, me pensionistë të shumtë, të cilët që në orët e hershme të mëngjesit, verë e dimër, ia mësyjnë Gërmisë.
Pjesa më e madhe e pensionistëve njihen ndërmjet veti. E, kur ka të tillë që nuk i njohin, biseda e parë bëhet: “Prej nga je?”, për të kaluar më pas në ndonjë llaf që “atij i dhemb”
Politikës nuk i shpëton njeriu as në autobus!
“A je, ku je?”, përshëndeten dy vetë, sapo ulen pranë njëri-tjetrit.
“Juve të institucioneve nuk po ua ndien për neve, pensionistëve, bash hiq!”, i thotë i pari të dytit, e që ky i fundit, nga pamja, nuk dukej se ishte pensionit, por që, me siguri, ende punonte.
“Çka me ba me 90 euro pension?! Kah me i qu përpara! Veç për ilaçe më shkojnë 50
euro në muaj!”, i thotë plaku, paksa me ton të lartë, me qëllim që ta dëgjojnë edhe të tjerët përreth.
“Çka të duhen paratë ty, bre?!”, ia kthen njëri që, si dukej, e njihte mirë.
“Qysh çka më duhen?! Në Gërmi nuk po na japin kafe pa pare! Ja çka më duhen, pra!”, ia kthen ai si me mahi.
“Hajt bre, ti je myt tu mbajt konferenca në socializëm e ende paske dëshirë me fol!”, ia kthen po i njëjti, me qeshje.
Jo, jo. S’ka ma keq për ne, pleqtë. Po na plasë zemra si po na trajtojnë politikanët tanë, të cilët në kohën kur unë kam punu, ata as që kanë qenë në këtë dynja! E, tash janë ba të paprekshëm – me xhipa e villa, e ne, fukaraja, nuk kemi ni kafe me e pi në Gërmi!”, ia kthen me mllef.
“Hajt bre, lëri ti politikanët!”, ia kthen ai, më shumë si ngacmim.
“Hë, bre, si me i lanë?! A po e sheh se do mbesim edhe pa ato 90 euro?! S’ka qeveri!
S’ka buxhet! Sepse, ambiciet për pushtet ua kanë marrë edhe mendtë! Secili do me qenë kryeministër! Di a s’di kush s’të vetë!”, shpërthen ai, i moshuari.
“Lëri politikanët, po a e ke ende plakën gjallë, obo?”, mundohet t’i jep kah tjetër bisedës ai, e që dukej se ende punonte.
“Jo, qe dy vjet po bahen e unë jam pa plakë”, ia kthen ai, me gjysmë zëri, dhe vazhdon: “Në pleqëri s’kish ma keq se me të vdekë gruja. Fëmija janë shpërnda…”.
Dhe, me këtë muhabet edhe përfundon biseda ndërmjet këtyre vetëve, meqë të dy zbresin në stacionin te Pallati i Rinisë.
E, po në atë stacion hyjnë disa të rinj e të reja dhe biseda ndërmjet tyre tashmë merr kah tjetër…
