Gazeta Sinjali ka raportuar sot gjatë ditës se ka ndodhur një ngjarje tragjike të dielën në fshatin Dardani të komunës së Ferizajt, ku një fëmijë i moshës 3 vjeç e gjysmë ka humbur jetën në një incident të rëndë trafiku, për të cilin po hetohet një i afërm i tij.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 18:15 të datës 22 qershor 2025, në rrugën “Nektari” nr. 42, i dyshuari Gentijan Bytyqi, 21 vjeçar dyshohet se gjatë lëvizjes së automjetit në prapavijë, nga pakujdesia ka kaluar me pjesën e majtë të veturës mbi trupin e fëmijës Xh.B., 3 vjeçar, i cili kishte vrapuar në drejtim të veturës.
Bëhet e ditur se 3-vjeçari do të varroset sot në ora 18:00 në fshatin Merosal.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Me datën 22.06.2025 rreth orës 18:45, nga stacioni policor në Viti jemi njoftuar se në ambulancën e fshatit Pozheran është dërguar një fëmijë rreth moshës 4-vjeç, i cili është konstatuar pa shenja jete nga mjeku kujdestar. Dyshohet se fëmija është goditur nga një veturë në fshatin Dardani, në oborrin e shtëpisë, ndërsa ngasësi – ka lidhje familjare me viktimën”, tha Veseli për Sinjalin.
Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit – Departamenti i Përgjithshëm i PTH Ferizaj – i dyshuari është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.