fbpx

Sot tentohet për herë të 34 konstituimi i Kuvendit të Kosovës

nga Revista Kosovarja

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në tentativën e 34-të, në përpjekje për konstituimin e Kuvendit. Procesi ka ngecur te zgjedhja e Kryeparlamentarit. Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për këtë pozitë Albulena Haxhiun, që nga partitë tjera po konsiderohet figurë përçarëse.

Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i saj. Në asnjërën nga votimet për të, Haxhiu s’ka marrë vota aq sa i nevojiten ,61.

Nga 15 prilli, kur ka filluar seanca konstituive, deri tash kanë dështuar 29 vazhdime të saj. Edhe në seancën e sotme, e 30-ta me radhë nuk ka ndonjë sinjal për rrugëdalje nga ngërçi i krijuar tash e dy muaj.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka vendosur të ndërmarrë edhe një hap për të kërkuar zgjidhje për ngërçin në të cilin ka hyrë vendi. Ajo pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me synimin që të sqarohen mundësitë ligjore për tejkalimin e situatës aktuale.

Presidentja ka mbajtur deri tani dy takime konsultative me liderët e partive politike, fillimisht më 15 maj dhe së fundmi për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale.

Ajo ka ripërsëritur gatishmërinë për të zhvilluar takime të veçanta me çdo lider politik që ka interes për të diskutuar mbi konstituimin e Kuvendit.

Tashmë janë bërë mbi katër muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]