Besoj që po, dhe shumica pajtoheni me mua.
Ne shqiptarët të gjithë jemi të njëjtë në politikë.
Gjaknxehtë.
Nuk mund ta shohim askënd tjetër para vetes. As më të mençur se vetveten.
Të gjithë jemi komentator , etiketues, bajraktarë…
Shumë na e kënda pushtetin.
Po të kishte pasur ndonjë mundësi, të gjithë shqiptarët do të ishin kryeministra, presidentë, ministra. Po bile edhe drejtora, në mos asgjë më shumë.
E mbajmë mend, kur u zgjodh president legjitim me votën e popullit Dr. Ibrahim Rugova, sa fjalët, sa ofendimet u pollën nga dashakqinjët.
E mbajmë mend kur u zgjodh pastaj Hashim Thaçi kryeministër, sa ofendimet, sa sharjet sa etiketimet…
E mbajmë mend Isa Mustafën kur u zgjodh kryeministër, gjithashtu – sa ofendimet sa alamet sharje…
E mbajmë mend edhe Ramush Haradinajn, njëjtë – sharje e çka jo tjetër.
E mbajmë mend dhe tash edhe Albin Kurtin, kryeministër i ofendimeve më të freskëta që i kemi në kujtesë, sa sharje, sa ofendimi, sa i tejkalon edhe këta të lartpërmendurit.
Pse ?
Sepse, u bë kryeministër dhe tash duhet së pari ta shajmë, e ta etiketojmë, e ta bëjmë horën e alemit dhe pastaj ta ulim në vendin e kryeministrit!
Jemi popull se jo mahi! Si ajo familja te miqtë e mi, së pari e rrahin dhëndrin e pastaj e bëjnë dhëndër!
Kur do të bëhemi si e gjithë bota demokratike që të kuptojmë, se politika u takon vetëm atyre gozhdaxhinjve që dinë ta ngulin bulonin dhe ta nxjerrin pa lënë vrimë ?
A dini si jemi ne: Nga të fryn interesi…
Për shembull, tash LDK-ja që shkoi në koalicion me VV dhe përnjëherë miqësia që kishte me partitë tjera ra në humnerë dhe pëlcitën sharjet ndaj dyjave.
Por, tash që u prishën për shembull LDK e VV, për LDK- ën fjalë të mira e të mëdha.
Albinin e bëmë horë e paqavër me etiketa gjithfarë. Por, për shembull, po të bëhen bashkë PDK e VV, gjë që ka mundësi, se po thonë do zëra nga nëntoka e VV-së, atëherë do të çohet LDK-ja me të tjerët dhe do e bëjnë horr e alem PDK-në!
E atëherë , do të çohen PDK-istët dhe do e çojnë në qiell Albin Kurtin “antiamerikan” dhe do e nisin retorikën tjetër, që më proameriken se Albin Kurti nuk ka as në Amerikë.
Do të çohen pastaj në VV dhe do e lavdërojnë PDK-në si Adem Grabovci LDK-në dikur: “Na ka hi ni begeni me LDK-në që as bukë s’po mund të hamë pa njëra tjetrin …” e kështu me rend.
Keq bre , me këto skena e skenarë…
Zoti hajër e bëftë! Safet Krivaca ? /Kosovarja /