Një pjatë tipike e kuzhinës shqiptare që të nxit shqisat me shijen e saj e të hap oreksin, është ajo e specave të marinuar.
Specat e kuqe ose specat jeshilë të pjekur dhe më pas të marinuar me hudhra, vaj ulliri dhe uthull janë një ndër pjatat tradicionale dhe më të lirat të cilat kanë kaluar ndër shekuj dhe vazhdojnë konsumohen në sofrat shqiptare.
Kjo pjatë është shndërruar në një shoqëruese të netëve të ftohta pranë oxhakut, aty ku vlojnë bisedat bashkë me zjarrin bubulak dhe me më tradicionalen, rakinë ushqimet shijojnë në maksimum.
Për ti pregatitur është aq e thjeshtë sa nuk do ta mendonit. Mjafton të keni speca me ngjyra dhe madhësi të ndryshme, të cilat pasi i lani dhe i fshini mire, i prisni në mes, u hiqni farat dhe i piqni ne furrë me 180 gradë pë rreth 1 orë.
Pasi t’i piqni do t’u hiqni lekurën dhe në një enë ose një havan tradicional do shtypni 3-4 thelpinj hudhra dhe ngadalë do shtoni vajin e ullirit dhe kripën.
Në një pjatë do shtroni specat dhe nga lart do t’u hidhni vajin me hudhrën dhe do ti spërkasni me pak majdanoz të grirë imët për aromë dhe zbukurim. Dhe nëse dëshironi shoqërojini me pak djathë të bardhë, se kështu shijon tamam mezeja, apo ti servirni mbi brusketa ose si garnityrë me oriz. Ju bëftë mirë!