fbpx

S’pranohet në prova dëshmia e një dëshmitari në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Prokuroria pretendonte për paaftësi mendore

nga Revista Kosovarja

Trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka marrë vendim që të refuzojë ta pranojë në prova materiale dëshminë e dëshmitarit të 29-të në këtë rast, i cili mban kodin W04577.

Dëshmitari i 29-të i cili mbante kodin W04577 kishte filluar dëshminë më 10 tetor 2023 në këtë rast, por kishte kërkuar pushim me arsyetimin që nuk ndihej mirë. Ndonëse më 11 tetor, kishte ardhur sërish në sallën e gjyqit ku kishte kërkuar që të konsultohej me një avokat, përfaqësuesi i tij ligjor kishte thënë se klienti i tij është i gatshëm të shkojë në burg dhe jo të dëshmojë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Vendimi për të mos e pranuar dëshminë e tij është marrë më 19 maj 2025 dhe në të njëjtin dokument thuhet se është pranuar me shkrim dëshmia e katër dëshmitarëve të tjerë që mbajnë kodet W00092, W04352, W04427 dhe W04433.

Për dëshminë e dëshmitarit të 29-të, ZPS-ja kishte pretenduar se duhet të pranohet për arsye se është i paqasshëm për shkak të paaftësisë mendore dhe se dëshmia e tij është e rëndësishme, autentike, ka vlerë provuese dhe është e besueshme.

Kurse, mbrojtja kishte pretenduar që Prokuroria nuk ka dëshmuar që ky dëshmitar është i paqasshëm që të dëshmojë me gojë dhe se pranimi i dëshmisë me shkrim pa i dhënë mundësi mbrojtjes që të bëjë pyetje, shkakton sipas tyre dëm tek ata.

ZPS-ja ishte kundërpërgjigjur duke thënë se mbrojtja është duke i injoruar gjetjet që dëshmitari është i paaftë që të dëshmojë. Veç kësaj, ZPS-ja pretendon se mbrojtja e ka pasur mundësinë që çështjet për të cilat flet dëshmitari në deklaratat e tij, t’i trajtojë me dëshmitarë të tjerë.

Megjithatë, trupi gjykues në vendim ka thënë se Prokuroria nuk ka arritur ta bind Gjykatën që dëshmitari i 29-të nuk është në gjendje të dëshmojë ose që është i paqasshëm që të ofrojë dëshmi gojarisht.

Trupi gjykues ka thënë se Prokuroria ka qenë e njoftuar për vështirësitë lidhur me gatishmërinë dhe përgatitjen e dëshmitarit për të dëshmuar dhe kërkesat e tij në këtë drejtim.

Si rrjedhojë, ata thonë se Prokuroria ka pasur kohë të mjaftueshme për të siguruar dëshminë e dëshmitarit ose për të kërkuar masa të përshtatshme nga trupi gjykues.

“Për këto arsye, Trupi Gjykues nuk i sheh me meritë pretendimet e ZPS-së se ajo ka marrë të gjitha masat e arsyeshme për të siguruar paraqitjen e W04577 para Trupit Gjykues dhe se dëshmitari nuk është në gjendje të dëshmojë [E REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.

Po ashtu, sipas trupi gjykues, ky dëshmitar nuk është i paaftë ose i paqasshëm për të dëshmuar gojarisht. Si rrjedhojë, u refuzua pranimi i kësaj dëshmie në prova materiale.

Për dëshmitarin W00092, mbrojtja kishte thënë se dëshmia e tij është e papranueshme për shkak se nuk është e besueshme dhe i mungon mbështetja.

Veç kësaj, mbrojtja kishte thënë se rrëfimet e këtij dëshmitari për arrestimin e tij dhe identifikimin e personave të dyshuar si civilë serb që ka pretenduar se janë ndaluar dhe mbajtur aty ku edhe ai ishte i ndaluar e po ashtu arratisja e tij nga ai vend, janë deklarata të paqëndrueshme.

Mbrojtja kishte thënë se rrëfimet e W00092 për ndalimin dhe keqtrajtimin e tij e po ashtu, roli i dikujt, emri i të cilit është i redaktuar, nuk kanë vlerë provuese.

Ndërsa, pranimi i dëshmisë së tij pa iu dhënë mundësia mbrojtjes për të bërë pyetje, sipas tyre do të ishte paragjykim për të akuzuarit.

Në anën tjetër, trupi gjykues kishte konstatuar se dëshmitari nuk është në gjendje të dëshmojë me gojë dhe ZPS-ja tashmë ka paraqitur një raport mjekësor për atë, e të cilin mbrojtja nuk e ka kundërshtuar.

Si rrjedhojë, në vendim thuhet se trupi gjykues është i bindur nga argumenti i ZPS-së se deklaratat W00092 pasqyrojnë rrëfimin e tij dhe se çdo mospërputhje në deklaratat e tij është kufizuar.

Sipas tyre, mospërputhjet në deklaratat e këtij dëshmitari do të merren parasysh në vlerësimin e peshës dhe vlerës provuese të dëshmisë së këtij dëshmitari.

Po ashtu, thuhet se trupi gjykues është i bindur se provat e përfshira në deklaratën e këtij dëshmitari nuk kanë të bëjnë me veprime apo sjelljen e të akuzuarve siç përmend aktakuza, e po ashtu as mbrojtja nuk ka pretenduar ndryshe.

Si rrjedhojë, vendoset që dëshmia e këtij dëshmitari të pranohet në prova materiale pasi sipas trupit gjykues, ka vlerë provuese.

Për dëshmitarin W04352, trupi gjykues ka konstatuar se dëshmia e tij nuk ka të bëjë me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarave siç pretendon aktakuza, por kjo dëshmi është relevante dhe ka vlerë provuese.

Kurse, për dëshminë W04433, trupi gjykues ka thënë se Prokuroria ka paraqitur dokumente që tregon mosgatishmërinë e këtij dëshmitari për të dëshmuar qoftë në Hagë e qoftë përmes video-lidhjes.

Ata thonë se janë të bindur se Prokuroria ka bërë përpjekje të arsyeshme dhe të vazhdueshme për ta siguruar dëshminë e këtij dëshmitari me gojë

“…duke marrë parasysh shqetësimet e dëshmitarit në lidhje me ndikimin e mundshëm të dëshmisë së tij [REDAKTUAR]. Në këto rrethana, Trupi Gjykues është i kënaqur se, në këtë moment, W04433 mund të konsiderohet i papërgjegjshëm në kuptimin e Rregullës 155(1) (a)”, thuhet në vendim.

Duke e specifikuar se dëshmia e këtij dëshmitari nuk ka të bëjë me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve, ajo është e pranueshme me shkrim pasi që ka vlerë provuese.

Ngjashëm është konstatuar edhe për dëshminë e W04427. Pra, që ZPS-ja ka bërë përpjekje për ta siguruar dëshminë e këtij dëshmitari dhe vendosja e dëshmitarit përballë masave detyruese për ta siguruar dëshminë e tij mund të shkaktojë vështirësi të tepruara për të dhe familjen e tij. Si rrjedhojë, i ka pranuar ato me shkrim në prova materiale.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]