Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sulmuar tre centrale bërthamore në Iran, duke përfshirë Fordo, Natanz dhe Esfahan.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, tha se SHBA-ja ndërmori veprime për të “zbutur” atë që ai e quajti “kërcënim të rëndë” të paraqitur nga programi bërthamor i Iranit.
Në një deklaratë, ai i bëri thirrje Teheranit të dakordohet për bisedime dhe të arrijë një zgjidhje diplomatike, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se sulmet ajrore të SHBA-së ishin një përshkallëzim i rrezikshëm; ndërsa shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, iu bëri thirrje të gjitha palëve të tërhiqen dhe të kthehen në tryezën e negociatave.
Arabia Saudite ka shprehur “shqetësim të madh”, ndërsa Omani dënoi sulmet dhe bëri thirrje për qetësim të situatës.
Kryeministri indian Narendra Modi tha se kishte folur me presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe bëri thirrje për “dialog dhe diplomaci si rrugë përpara”.