fbpx

Sulmet pas intervistimit të Pecit, reagon Shoqata e Prokurorëve: Po rrezikohet drejtësia

nga Revista Kosovarja

Prokuroria Speciale, gjatë ditës së djeshme ka intervistuar ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, në lidhje me rastin e nënshkrimit të kontratës për dhënien të shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.

Në lidhje me këtë intervistim, eksponentë të qeverisë në detyrë të Kosovës kanë reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë çështje si të motivuar politikisht.

Ishte partia të cilës i përket Peci, GUXO, ajo që hodhi akuza të rënda direkte ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj, dhe prokurorit të çështjes, Admir Shala.

Për Shalën, kjo parti tha se ka qenë pjesë e Forumit Rinor të PDK-së, ndonëse i njëjti këtë pozitë nuk e mban tash e 15 vite.

E pikërisht për këto sulme, sot ka reaguar Shoqata e Prokurorëve të Kosovës.

Kjo shoqatë tha se i ka përcjellë me shqetësim reagimet publike të bëra së fundmi nga përfaqësues të subjektit politik GUXO dhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, pas veprimeve procedurale të ndërmarra nga Prokuroria Speciale në rastin që përfshin intervistimin e një zyrtari të lartë në cilësinë e të dyshuarit.

“Në mënyrë të veçantë, Shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, Admir Shala, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre ligjore dhe kushtetuese”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se prokurorët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të Prokurorisë Speciale, veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe provat që rezultojnë nga hetimet.

“Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake, nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve. Shoqata rithekson se kriteri i vetëm për vlerësimin e një prokurori është performanca profesionale, respektimi i ligjit dhe standardeve etike, dhe jo lidhje të supozuara apo të interpretuara politikisht”, thuhet në reagim, sipas KP.

Shoqata u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial, dhe “të përmbahen nga deklaratat që përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndaj punës së prokurorëve”.

Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, zhvilloi të martën bastisje në Ministrinë e Bujqësisë.

Prokurori i rastit, Admir Shala tha më 27 maj se Prokuroria Speciale ka nisur një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Donika Gërvalla, ministre e Jashtme në detyrë dhe bashkëkryetare e GUXO, tha se intervistimi i Pecit ishte “inskenim i gërditshëm” nga ana e kryeprokurorit Blerim Isufaj.

Përveç Gërvallës, edhe vetë GUXO lëshoi një deklaratë duke ngritur dyshime për “paanshmërinë e hetimeve”.

Në mbështetje të Faton Pecit doli edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Vetë Peci sot reagoi përmes një postimi në Facebook, duke e konsideruar veten të pafajshëm.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]