fbpx

Sulmi i SHBA-së ndaj Iranit, Kurti e Haradinaj mbështesin veprimin amerikan

nga Revista Kosovarja

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se gjatë 21 qershorit, Shtetet e Bashkuara kanë kryer me sukses sulme ajrore ndaj tre objekteve bërthamore në Iran: Fordo, Natanz dhe Esfahan.

“Kemi përfunduar me sukses sulmin tonë ndaj tre objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordo, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tanë ndodhen tashmë jashtë hapësirës ajrore iraniane,” ka shkruar Trump në platformën e tij, Truth Social.

Pas këtij zhvillimi të madh në Lindjen e Mesme, ka reaguar kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Ai theksoi se bota ka nevojë për më pak armatim bërthamor, duke i quajtur programet nukleare të shteteve autoritare si kërcënim global.

“Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo për më shumë bomba bërthamore që rrezikojnë njerëzimin,” tha Kurti.

“Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare. ShBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur,” shtoi ai.

Mbështetje për sulmet ajrore amerikane ka dhënë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një postim në Facebook, ai i ka krahasuar këto ndërhyrje me sulmet e NATO-s ndaj caqeve serbe në vitin 1999, të cilat, sipas tij, shpëtuan popullin e Kosovës.

“Sulmet ajrore të Amerikës dhe të aleatëve mbi caqet serbe ndalën regjimin e Millosheviqit dhe shpëtuan popullin tonë,” shkroi Haradinaj.

“Mbështesim fuqishëm sulmet ajrore mbi kapacitetet bërthamore të regjimit iranian dhe angazhimin e Presidentit Trump dhe të Amerikës për paqe dhe siguri në botë,” tha ai tutje.

Ndërkohë, përkundër zhvillimeve të mëdha gjeopolitike dhe mbështetjes së dy liderëve opozitarë dhe në detyrë, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, as nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe as nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]