fbpx

Sulmi në Banjskë, nesër mbahet seanca ndaj të akuzuarve

nga Revista Kosovarja

Seanca e shqyrtimit fillestar lidhur me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit do të mbahet nesër.

Kështu ka njoftuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Seanca fillestare për çështje penale të sulmit terrorist në Banjskë do të mbahet më 25 shtator, 2024”, tha ajo.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në veri të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Gjatë kësaj jave, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për këtë sulm.
Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist, ndërsa liderët shtetërorë akuzojnë shtetin e Serbisë për organizim të sulmit.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Ai, në aktakuzë, cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]