Një incident i rëndë është shënuar mëngjesin e së mërkurës në rrugën “Bekim Berisha” në Pejë, ku një person ka shkaktuar kaos duke sulmuar dy qytetarë dhe më pas edhe një zyrtar policor.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rreth orës 08:15, njësitet policore janë thirrur për një përleshje fizike mes disa personave. Me të arritur në vendin e ngjarjes, ata kanë gjetur të lënduar A.G (1982) dhe S. Sh (1967), si dhe të dyshuarin Isa Nikqi, 28-vjeçar dhe një dëshmitar.
Nikqi është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor. Por gjatë qëndrimit aty, situata është përshkallëzuar – ai ka sulmuar edhe një zyrtar policor, duke e goditur me shqelm dhe duke i shkaktuar lëndime trupore.
Për shkak të gjendjes së tij të dyshuar mendore, i riu është dërguar në spital dhe më pas, me vendim të mjekut dhe të prokurorit kujdestar, është vendosur për trajtim të detyrueshëm në repartin psikiatrik për 48 orë.
Ndërkohë, viktima A.G është dërguar për trajtim të mëtejshëm në QKUK – Prishtinë, ndërsa S.SH është intervistuar në polici dhe është liruar. Edhe zyrtari policor ka marrë trajtim mjekësor për plagët e shkaktuara nga sulmi.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit penal për veprat “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i rëndë trupor”. Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të këtij rasti.