Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në shtetin fqinj, Greqi, ku një grua ka arritur të divorcohet nga burri me ‘sugjerimin’ e ChatGpt, shkruan adnkronos.it.
Nuk jemi në një episod të “Black Mirror”, serialit të njohur distopian nga Netflix, por në Greqi, ku një grua ka vendosur t’i japë fund një martese 12-vjeçare pasi inteligjenca artificiale i zbuloi se burri i saj kishte lidhje jashtëmartesore.
Sipas medias lokale ‘Ekathimerini’, gjithçka filloi si një lojë, me gruan që në një moment qesharak iu drejtua ChatGpt për të larguar xhelozinë e saj duke lexuar llumin e kafesë së saj, një trend që është bërë viral në rrjetet sociale.
Megjithatë, sapo u ngarkua fotografia e filxhanit, mbërriti përgjigja e papritur e aplikacionit, e cila nisi një kthesë dramatike të ngjarjeve.
Inteligjenca artificiale në fakt arriti në përfundimin se burri kishte qenë i përfshirë në një lidhje jashtëmartesore për njëfarë kohe dhe kjo shkaktoi zemërimin e gruas, e cila jo vetëm që ngriti akuza të rënda, por madje kërkoi divorc.
“Në kafenë time, sipas teknologjisë u evidentua një grua të re me inicialin ‘E’, për të cilën do të mendoja intensivisht, dhe se dëshira ime për të pasur një lidhje me të do të realizohej së shpejti. Përfundimi shkencor i leximit të kafesë ishte, pra, se unë po e tradhtoj atë me një grua të re që synon të shkatërrojë martesën tonë”, tha burri i gruas, i intervistuar nga programi televiziv grek ‘To Proino’.
“Nisa të qeshja, sepse më dukej e tepërt të jepja shpjegime, meqenëse ishin budallallëqe të pabazuara”, por më pas zbulova se edhe në të kaluarën kishte pasur episode të ngjashme, kur gruaja i ishte drejtuar një astrologu”, shtoi ai.