Një ngjarje e rrezikshme që kishte ndodhur në muajin shkurt në qendër të Prishtinës është zbardhur nga Policia, e cila ka arritur të arrestojë një 17-vjeçar të dyshuar për të shtëna me armë zjarri në drejtim të një bashkëmoshatari.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti kishte ndodhur më 02.02.2025, rreth orës 18:30, në nënkalimin e sheshit “Gjorgj Bush” në Prishtinë. I dyshuari, E. Rr. 17 vjeçari kishte qëlluar një herë me armë zjarri në drejtim të tokës, me qëllim frikësimi të një bashkëmoshatari, A.R., 17 vjeçar dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia kishte iniciuar hetimet dhe më 16 qershor 2025, njësia e hetimeve të kryeqytetit ka arritur të identifikojë dhe arrestojë të miturin e dyshuar. Në deklaratën e tij, ai ka mohuar posedimin aktual të armës së përdorur.
Pas intervistimit në prezencën e prindit dhe avokatit mbrojtës, me urdhër të Prokurorit të Departamentit për të Mitur, i dyshuari është ndaluar për 24 orë, ndërsa rasti po trajtohet për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar armën dhe për të zbardhur motivet e plota të incidentit.