Këngëtarja shqiptare që po ngjitet në majat e muzikës botërore, Ava Max, ka pozuar së fundmi për kopertinën e revistës së famshme amerikane “Uproxx”.
Krahas setit fotografik ajo ka bërë një rrëfim për veten, familjen dhe atdheun e saj Shqipërinë, të cilin për fat të keq nuk ka pasur ende rastin që ta vizitojë deri më sot.
Ava ka zbuluar se nëna e saj kishte ëndërr të bëhej këngëtare operistike por iu desh të hiqte dorë përshkak se ishte një emigrante, nuk kishte para dhe nuk e dinte gjuhën duke shtuar faktin që kishte fëmijë që të kujdesej.
‘’Kur fillova të këndoj, u ndjeva sikur ajo filloi të jetonte ëndrrën e saj përmes ëndrrës sime, e cila është vërtet e mrekullueshme, mendoj. Tani që e shikoj përsëri atë, ndihem se kjo është pjesërisht arsyeja pse e bëra atë , sepse nëna ime më mbështeti shumë dhe ishte gjithmonë aty për mua”, ka thënë artistja shqiptare.
Tutje Ava ka treguar rrugëtimin e familjes së saj që nga ikja nga Shqipëria në rënie të komunizmit deri tek mbërritja në Amerikë.
‘’Ata me të vërtetë sakrifikuan gjithçka për ëndrrën time. Por ata janë të tillë, ata u larguan nga Shqipëria me asgjë tjetër përveç një valixheje në dorë dhe me një gjashtëvjeçar, vëllain tim. Ata jetonin në Kryqin e Kuq në Paris, Francë pa para. Por babai im me të vërtetë donte të vinte në Amerikë, kështu që pas një viti që jetuam në një kishë babai im erdhi dhe na tha: ‘Ne do të shkojmë në Amerikë’, kujton ajo.
Gjatë qëndrimit të tyre në Paris, familja u lidh me një grua nga Wisconsin e cila i ndihmoi ata të emigronin në Amerikë dhe ata jetuan në Milwaukee për vitet e para në ShBA.
Menjëherë pas lindjes së Ava-s, familja u transferua në Virxhinia për të shpëtuar nga dimrat brutalë të perëndimit të mesëm dhe aty ajo u rrit.
Talenti i Avas filloi të binte në sy që në moshë shumë të vogël duke filluar nga garat brenda qytetit deri tek ngjarjet më prestigjioze.
‘’Fillova të këndoja në shtëpi me nënën, pastaj të performoja për fqinjët e mi, pastaj fillova të merrja pjesë në konkurse këndimi, si konkurset e Radio Disney që do të vinin në qytet. Fillova në Virxhinia, pastaj fillova të fitoja konkurset’’.