Pas denoncimit të PDK’së për skandalin multi-milionësh për tenderin e ndërtimit të fabrikës për mbetje shtazore, Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në Ministrinë e Bujqësisë që udhëhiqet nga Faton Peci, shkruan Insajderi.
Raportohet se aksioni është duke u kryer nga Policia e Kosovës me udhër të Prokurorisë Speciale.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktoj policinë e po ashtu edhe Prokurorinë Speciale por, deri me tani nuk kanë dhënë informacione lidhur me bastisjen.
Të hënën, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Ismajli, ka denoncuar skandalin multi-milionësh që përfshin Ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, i cili, sipas tyre, ia ka dhënë me qira pronën publike, fabrikën e mbeturinave shtazore, kompanisë “LIP KS & IT SH.PK” për 20 vjet pa ankand publik.
Detaje nga skandali
Ismajli, në një konferencë për shtyp, akuzoi ministrin Peci për shkelje të Ligjit për Pronën Publike, i cili përcakton se pronat publike mund të jepen me qira vetëm përmes ankandit publik dhe për jo më shumë se 15 vjet, përveç rasteve kur vendimi merret në Kuvend.
“Ministria e Bujqësisë, nën udhëheqjen e Ministrit Faton Peci, dhe me miratimin e Kryeministrit Albin Kurti, ka finalizuar një nga marrëveshjet më dëmtuese dhe skandaloze për interesin publik, dhënien me qira të një objekti publik me vlerë mbi 10 milionë euro për vetëm 30 mijë euro në vit, për një periudhë 20-vjeçare, ndërsa kompania përfituese merr subvencione prej mbi 3.2 milionë eurosh në vit”, tha ai.
Për më tepër, sipas Ismajlit, kompania përfituese është regjistruar vetëm 5 ditë pas njoftimit dhe nuk plotëson asnjë nga kriteret ligjore për përvojën teknike dhe financiare të kërkuara në dokumentin e njoftimit, dhe pronari i saj është i lidhur me tre kompani të tjera pa asnjë përvojë në fushën e përpunimit të nënprodukteve shtazore.
“Kompanisë iu dha një fabrikë publike me të gjitha pajisjet moderne, 6 kamionë të mëdhenj, gjeneratorë, cisterna gazi etj., një subvencion vjetor prej 3.2 milionë eurosh, i garantuar pa konkurs, për 20 vjet, gjithsej 64 milionë euro para publike. E gjithë kjo u bë pa respektuar as Udhëzimin Administrativ Nr. 04/2025, neni 15, pika 2, i cili rregullon subvencionin për përpunimin e nënprodukteve shtazore dhe Rregulloren (QRK) Nr. 03/2025 për dhënien me qira të pronës publike, e cila kërkon një përshkrim të pronës, çmimin fillestar, kriteret e pjesëmarrjes dhe transparencë në reklamë”, njoftoi ai.
Ismajli tha se ky është një rast tjetër ku Qeveria Kurti e ka vënë pronën publike në shërbim të një pakice të privilegjuar.
“Kryeministri Kurti ka legjitimuar një proces krejtësisht të paligjshëm me vendimin e tij të datës 09.01.2025 (Nr. 01/242), i cili vetëm sa ka legalizuar pas shpinës së tij një marrëveshje të përgatitur paraprakisht në shkelje të ligjit, duke e vendosur veten në rolin e mbështetësit të një marrëveshjeje që është ligjërisht e pavlefshme sipas nenit 17, paragrafi 8 të Ligjit për Pronën Publike” , tha ai.
PDK-ja kërkon nga autoritetet kompetente hetim të Ministrit Peci dhe zyrtarëve të AUV-së për përfshirje në shpërdorim detyre dhe keqpërdorim të pronës publike, si dhe anulimin e menjëhershëm të kontratës dhe kthimin e pronës publike nën administrim ligjor.
“Kjo nuk është më vetëm paaftësi administrative, keqmenaxhim dhe abuzim me detyrën zyrtare, kjo është plaçkitje e organizuar dhe kapje e pastër e shtetit në favor të një grupi të vogël me lidhje të dyshimta”, theksoi Ismajli.