Kjo e diel shënoi bilancin më të rëndë të viktimave ditore nga koronavirusi në Spanjë. Autoritetet njoftuan vdekjen e 838 pacientëve në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin e tyre në mbi 6500. E diela theu rekordin e ri që ishte vendosur të shtunën, kur u shënuan 832 vdekje. Shumica dërrmuese e viktimave janë të moshuar. Në 24 orët e fundit u shënuan po ashtu mbi 6500 infektime të reja, duke e çuar pranë 80 mijëshin numrin e të prekurve.
Spanja po ndjek kështu hap pas hapi Italinë, që ku tashmë numri i infektimeve të reja po tregon stabilitet. Italia ka numrin më të lartë të viktimave në gjithë globin, që të shtunën arriti në mbi 10 mijë. Në gjithë Europën numërohen më shumë se 20 mijë të vdekur nga koronavirusi.
Ritmet më të larta të infektimit i kanë Shtetet e Bashkuara. Ky vend renditet tashmë i pari me mbi 125 mijë të infektuar, gjysma e të cilëve në Nju Jork. Por pavarësisht kërkesës së guvernatorit Endrju Kuomo për vendosjen e qytetit në karantinë, presidenti amerikan Donald Trump nuk e sheh të arsyeshme ta ndërmarrë këtë vendim.
Përmes një postimi në Twitter, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se ishte konsultuar me guvernatorët dhe qeverinë federale, me të cilët ishte arritur në përfundimin se nevojitej kufizim maksimal i udhëtimeve brenda dhe jashtë Nju Jorkut, ashtu si në gjithë vendin.
Mediat paralajmëruan se Nju Jorku mund përjetojë një situatë më të rëndë edhe se Uhani dhe Lombardia. Megjithatë shefi i Shtëpisë së Bardhë është kundër masave të ashpra që janë marrë në pjesën më të madhe të globit, pasi i druhet faktit që ato mund ta zhysin ekonominë amerikane në recesion.
Mbi 31 mijë të vdekur dhe afro 495 mijë janë ende të infektuar në gjithë globin. Ndërsa afro 143 mijë të tjerë janë shëruar.