Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku një grua rreth të dyzetave është gjetur pa shenja jete.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se viktima dyshohet se ka kryer vetëvrasje, duke u varur me një kabllo elektrike brenda një objekti të QKUK-së. Trupi i saj është gjetur më pas në oborr nga personeli mjekësor, të cilët kanë njoftuar menjëherë Policinë.
Sipas informacioneve nga burime të Gazetës Sinjali brenda QKUK-së, gruaja ishte e veshur me rroba të stilit fetar që i përdorin gratë myslimane.
Ekipi mjekësor në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e saj, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij akti tragjik.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet hetimore, Policia dhe mjekësia ligjore.