fbpx

Tre shqiptarë mbërrijnë me urgjencë në Tiranë nga Izraeli

nga Revista Kosovarja

Një ditë pasi bëri me dije për evakuimin nga Izraeli të pesë shtetasve shqiptarë pas shpërthimit të konfliktit me Iranin, ministri i Jashtëm Igli Hasani njoftoi se tre prej tyre mbërritën mëngjesin e sotëm (18 qershor) në Tiranë nga Athina dhe një tjetër bashkëkombës pritet të mbërrijë në mbrëmje.

“MEPJ-ja, përmes ambasadave të saj, ka ndjekur me vëmendje në çdo etapë evakuimin e 5 shqiptarëve nga Izraeli, të cilët kanë mbërritur shëndoshë e mirë në orët e para të mëngjesit në Athinë. 3 prej tyre kanë vazhduar rrugën dhe gjenden tashmë në Tiranë; njëri kthehet sonte në mbrëmje në Shqipëri; ndërsa personi i pestë është rezident në Greqi dhe do të qëndrojë në vendin fqinj“, njoftoi Hasani në rrjetin social Facebook.

Largimi i shtetasve shqiptarë u mundësua nga Ministria e Jashtme, nëpërmjet ambasadave në Tel-Aviv dhe Kajro.

Qindra shtetas nga Ballkani evakuohen nga Tel-Avivi

Evakuimet vijnë pas përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, që ka detyruar vendet nga rajoni dhe gjithë bota për largime masive si pasojë e bombardimeve të përditshme në të dyja shtetet e Lindjes së Mesme.

Greqia raportoi të mërkurën në mëngjes riatdhesimin e 105 qytetarëve të vet të bllokuar në Tel-Aviv prej ditësh.

Edhe Maqedonia e Veriut priti grupin e parë të shtetasve të evakuar të martën vonë me një avion qeveritar nga Izraeli në aeroportin e Shkupit.

“Me këtë jemi ndër vendet e para në Evropë që organizojmë dhe implementojmë me sukses kthimin e qytetarëve tanë nga zona e konfliktit,” deklaroi ministri i Jashtëm maqedonas, Timco Mucunski. Autoritetet në Shkup thonë se 28 individë kanë kërkuar të evakuohen, por fluturimet e radhës ende nuk janë përcaktuar.

Edhe Serbia evakuoi me sukses disa shtetas nga Izraeli, sipas kryeministrit Djuro Macut, ndërsa Ministria e Jashtme e Malit të Zi apeloi qytetarët malazezë që të shmangin udhëtimet në Izrael edhe Iran deri në një njoftim të dytë “për shkak të situatës së përkeqësuar dhe rritjes së rrezikut ndaj sigurisë vetjake”.

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]