Një djalë 17 vjeç është arrestuar nën dyshimin se i ka mbytur me sëpatë prindërit dhe motrën, sepse nuk dëshiroi që të shkonte në shkollë.
Rusi iku nga vendi i ngjarjes pasi e shpërfytyroi babanë dhe ia mori rrobat për t’i veshur për vete, tha policia lokale.
Ky veprim i sulmuesit fillimisht i hutoi hetuesit, të cilët lëshuan njoftim për ta shpallur në kërkim babanë e sulmuesit, 40-vjeçarin Alexey Gorbunov, duke besuar se ai është vrasësi i familjarëve, ndërsa adoleshenti i vdekur.
Megjithatë, ekspertët e forenzikës më vonë zbuluan se kufoma e dëmtuar rëndë në një shtëpi në Oktyabrsky i takonte kryefamiljarit, shkruan Daily Mail.
I dyshuari u arrestua 360 kilometra larg vendit të krimit, në Ekaterinburg. Trupat e nënës së tij, Gulya Gorbunov, dhe motrës, Yulia, 12 vjeçe, u gjetën në shtëpinë e familjes.
Policia tregoi se djaloshi është rrëfyer për vrasjet dhe ka thënë se nuk deshi të shkonte në shkollë, por nëna e tij kishte këmbëngulur, duke çuar në një grindje të ashpër mes tyre.
Raportohet se adoleshenti ishte në vitin e fundit në shkollë, por nuk ishte i kënaqur me cilësinë e mësimdhënies në matematikë dhe së fundi nuk i mbante orët e kësaj lënde.
Ai së pari e vrau nënën, pastaj babanë dhe në fund motrën. Fqinjët e tyre thanë se kjo familje ishte miqësore dhe se sulmuesi gjithmonë ishte kujdesuar për motrën./Përktheu: Nasuf Abdyli