fbpx

Trump fiton “betejën” me CBS News-in, pas padisë do t’ia paguajnë 16 milionë dollarë

nga Revista Kosovarja

Kompania pronare e CBS News, Paramount, e ka zgjidhur një padi të ngritur nga presidenti amerikan, Donald Trump në lidhje me një intervistë të transmetuar në tetor të vitit 2024.

CBS News është kompania e fundit mediatike që gjunjëzohet para padisë së presidentit për raportime dhe lajme të rreme rreth tij.

Paramount tha se do të paguajë 16 milionë dollarë për të zgjidhur padinë me paratë që do të shkojnë për bibliotekën e ardhshme presidenciale të Trumpit dhe nuk do t’i jepen Trumpit “drejtpërdrejt ose tërthorazi”.

“Zgjidhja nuk përfshin një deklaratë faljeje ose keqardhjeje”, shkruhej në deklaratën e kompanisë.

Trump ngriti një padi prej 10 miliardë dollarësh kundër CBS-it në tetor, duke pretenduar se rrjeti modifikoi në mënyrë mashtruese një intervistë që u transmetua në programin, 60 Minutes me zëvendëspresidenten e atëhershme dhe kandidaten presidenciale Kamala Harris për të “anuar peshoren në favor të Partisë Demokratike” në zgjedhje. Në një padi të riformuluar të paraqitur në shkurt, Trump e rriti kërkesën e tij për dëmshpërblim në 20 miliardë dollarë.

CBS-i transmetoi dy versione të intervistës së Harrisit në të cilat ajo duket se jep përgjigje të ndryshme për të njëjtën pyetje në lidhje me luftën Izrael-Hamas, sipas padisë së ngritur në një gjykatë federale në Teksas.

CBS-i më parë tha se padia ishte “plotësisht pa meritë” dhe i kishte kërkuar një gjyqtari ta rrëzonte çështjen.

Paramount tha gjithashtu se ra dakord që 60 Minutes do të publikonte transkripte të intervistave me kandidatët e ardhshëm presidencialë të SHBA-së pasi ato të transmetoheshin, në varësi të redaktimeve sipas kërkesës për shqetësime ligjore ose të sigurisë kombëtare.

Çështja hyri në ndërmjetësim në prill.

Trump pretendoi se redaktimi i intervistës nga CBS-ja shkeli Aktin e Mbrojtjes së Konsumatorit të Praktikave Tregtare Mashtruese të Teksasit, i cili e bën të paligjshme përdorimin e akteve të rreme apo mashtruese në tregti.

Marrëveshja vjen ndërsa Paramount përgatitet për një bashkim prej 8.4 miliardë dollarësh me Skydance Media, i cili do të kërkojë miratim nga Komisioni Federal i Komunikimeve të SHBA-së.

Gjatë fushatës së vitit të kaluar, Trump kërcënoi se do të revokonte licencën e transmetimit të CBS nëse zgjidhet president.

Ai ka sulmuar vazhdimisht median e lajmeve, duke e cilësuar shpesh mbulimin e pafavorshëm si “lajme të rreme”.

Marrëveshja e Paramount vjen pas një vendimi të ABC News-it, në pronësi të Walt Disney, për të zgjidhur një padi për shpifje të ngritur nga Trump. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, e cila u bë publike më 14 dhjetor, rrjeti dhuroi 15 milionë dollarë për bibliotekën presidenciale të Trump dhe kërkoi falje publikisht për komentet e prezantuesit George Stephanopoulos, i cili tha në mënyrë të pasaktë se Trump ishte shpallur fajtor për përdhunim.

Kjo gjithashtu vjen pas një marrëveshjeje të dytë nga kompania pronare e Facebook dhe Instagram, Meta Platforms, e cila më 29 janar tha se kishte rënë dakord të paguante rreth 25 milionë dollarë për të zgjidhur një padi nga Trump mbi pezullimin e llogarive të tij nga kompania pas sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së.

Trump është zotuar të ngre më shumë padi kundër mediave që shpifin informacione për të.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]