Një grua 74-vjeçare e quajtur Alba Maruri ishte shpallur e vdekur nga autoritetet si pasojë e Koronavirusit.
Mirëpo është zbuluar se e moshuara vazhdon të jetë gjallë dhe se në fakt ishte bërë një ngatërresë identiteti.
Muajin e shkuar familjarët ishin njoftuar për vdekjen e saj dhe në shtëpi iu ishte dërguar hiri që mendohej t’i përkiste 74 vjeçares. Të Enjten zonja Maruri është zgjuar pas tre javësh në koma dhe ka kërkuar nga doktorët të telefononin të motrën.
Në atë moment është kuptuar gjithë ngatërresa e bërë dhe spitali ka kërkuar falje. Familjarët u gëzuan shumë që 74- vjeçarja ishte gjallë por dhe janë shokuar njëkohësisht. Ngjarja ka ndodhur në Guayaquil, epiqendra e Koronavirusit në Ekuador. Familjarët kishin parë një trup në morg, gjithmonë duke ruajtur distancën për shkak të Covid-19. Nipi i saj i cili ishte një metër e gjysmë larg, kishte arritur t’i dallonte flokët dhe ngjyrën e lëkurës. Mirëpo këto detaje kanë qenë të njëjta si të hallës së tij, prandaj ka konfirmuar për autoritetet se viktima ishte Alba Maruri.