fbpx

U zgjodh drejtoreshë e Teatrit “Hadi Shehu”, Albulena Kryeziu: Synimi im kryesor është krijimi i një repertori të qëndrueshëm

nga Revista Kosovarja

Albulena Kryeziu – Bokshi ditë më parë u njoftua se ka marrë postin e drejtoreshës në Teatrin e Gjakovës, “Hadi Shehu”.

Lajmi për publikun u bë i ditur nga kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini, në një postim që ka shpërndarë në rrjete sociale.

Në një bisedë për Telegrafin, Albulena ka treguar se si është të qenit në krye të këtij institucioni.

“Të qenit e para e këtij institucioni kulturor është nderë i veçantë. Teatri i Gjakovës është teatri i dytë profesionist i krijuar në Kosovë pas teatrit kombëtar dhe kjo është vlerë e shtuar e këtij institucioni. Jam e lumtur që mu dha mundësia të punoj për teatrin e zemrës time”, tha Kryeziu-Bokshi.

Tutje, ajo theksoi se ka në mendje shumë plane që pritet t’i realizojë gjatë mandatit.

“Kam shumë plane që dua t’i realizoj por synimi im kryesor është krijimi i një repertori të qëndrueshëm, pastaj të sjellë bashkëpuntorë të dëshmuar dhe të kemi mundësinë që të lëvizim sado pak në festivale”, u shpreh artistja e njohur.

E për atë se si do të rrjedhë puna në vazhdim në këtë Teatër, aktorja vë në pah që duhet të ketë një ekip të favorshëm si një faktor kryesor për të pasur rezultate të mira.

“Unë nuk do të mund të shpikja parime të teatrit sepse ato ekzistojnë që nga kohërat antike kur edhe ka lindur arti i teatrit, por besoj që përvoja në teatër kombëtar të Kosovës si aktore më ka mësuar që uniteti i ekipit është faktori kryesor i një suksesi. Unë e di që edhe aktorët e teatrit të Gjakovës kanë harmoni mes vete dhe krejt çka duhet nga ana ime është të ju krijoj mundësi të mira për t’i shfaqur kapacitetet e veta secili aktor brenda atij teatri”, thotë në vazhdim Albulena.

Ajo po ashtu synon që Teatri i Gjakovës të ketë një repertor mujor pasi nuk ka qenë praktikë e institucionit të lartpërmendur.

“E ceka më lartë, repertori mujor nuk ka qenë praktikë e teatrit të Gjakovës, tani do të jetë pak e vështirë por besoj që me kalimin e kohës do të jetë i mundur”.

Sa i përket projekteve të reja, Albulena thotë se këtë vit do të jetë e përkushtuar maksimalisht në Teatër.

“Përveç reprizave të dy shfaqjeve që i kam trashëguar nga viti i kaluar, të cilat do të vazhdoj t’i luaj me shumë kënaqësi, projekte tjera nuk kam në kokë njëherë për njëherë sepse jam fokusuar shumë në teatrin “Hadi Shehu” dhe besoj që ky vit do të jetë ekslusivisht për këtë teatër”, përfundon bisedën për Telegrafin aktorja.

Për t’ua rikujtuar, Kryeziu – Bokshi në bagazhin e saj artistik numëron role të shumta në film dhe teatër.

Ajo ka qenë e pranishme në disa filma përfshirë këtu: “Anatema” dhe “Kodi i Jetës”.

Krahas kësaj, e njëjta ka fituar çmimin si ‘Aktorja më e mirë’ në “Mediterranean Film Festival” në Itali për rolin në “Cheating for Papers” .

Për këtë, ajo gjithashtu u nderua me çmimin si ‘Aktorja më e mirë’ edhe në Festivalin e Filmit “DC” në Francë.

Mes tjerash shquhet edhe për rolet në “Stinë Dashurie”, “Kolona” dhe “E dashura Nita” – duke mos lënë anash as shfaqjet e panumërta në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]