fbpx

Valë të nxehti, Agjencia e Emergjencave apelon: Mos ndizni zjarre

nga Revista Kosovarja

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka bërë një apel publik për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë stinës së verës, e cila karakterizohet me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për shpërthim zjarresh në pyje, fusha dhe hapësira të hapura.

Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të agjencisë në Facebook, theksohet se zjarret jo vetëm që shkaktojnë dëme të mëdha materiale, por edhe ndotin ajrin, shkatërrojnë natyrën dhe paraqesin rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

⚠️ “ZJARRVËNIET JANË VEPËR PENALE!”, thuhet në njoftim, duke rikujtuar se çdo zjarrvënie e qëllimshme apo e shkaktuar nga pakujdesia përbën vepër penale që sanksionohet me ligj. Autoritetet paralajmërojnë se përgjegjësit për zjarrvënie përballen me ndjekje penale dhe masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Agjencia ka ftuar qytetarët që të lajmërojnë menjëherë autoritetet në rast se:
Hasin ndonjë zjarr në terren
Dyshojnë për zjarrvënie të qëllimshme
Vërejnë tym apo flakë në zona të hapura
Për raste emergjente qytetarët mund të kontaktojnë pa pagesë në çdo kohë (24/7) në këto numra:

📞 Qendra Operative Emergjente – 112
🚒 Shërbimi Zjarrfikës – 193
👮‍♂️ Policia e Kosovës – 192
“Bashkë për siguri, jetë dhe mjedis!”, përfundon thirrja e AME-së, duke theksuar se çdo qytetar ka një rol të rëndësishëm në parandalimin e zjarreve. Veprimi i shpejtë mund të parandalojë dëme të mëdha, të shpëtojë jetë dhe të mbrojë mjedisin natyror të vendit.

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]