fbpx

Valentina nga “Shija e Tradites” rrëfen për gatimet e mrekullueshme dhe jetën e saj

nga Revista Kosovarja

Valentina është mjeshtrja e gatimeve që fshihet pas faqes “Shija e Tradites” në Instagram, faqe kjo ku përditë prezantohen gatime tradicionale të mrekullueshme, të përgatitura nga duart e arta të Valentines.

Po, kush është Valentina e gatimeve që janë të mrekullueshme për tu parë dhe shijuar?

“Më quajnë Valentina. Jetoj në Mbreterinë e Bashkuar prej 20 vitesh me familjen time. Kam tre fëmijë, dy vajza dhe nje djalë. Kam kaluar shumë vështirësi gjatë këtyre viteve si shumë emigrantë te tjerë. Në fillim, shpesh herë mendoja të kthehesha në vendin tim se më mungonte shumë familja, por nga momenti që erdhi ne jete vajza ime e parë nuk mendoja më për veten por për një të ardhme më të mirë për fëmijët e mi”. Për revisten “Kosovarja”, Valentina rrëfen se që kur ka qenë fëmije ka pasur dëshire te gatuaj. “Mbaj mend që kam qenë 10 vjeç kur kam gatuar byrek me djathë për herë të parë dhe mami e babi ishin në punë e unë prisja me padurim te vinin nga puna të provonin byrekun që kisha gatuar. Gjithmonë gatuaja për familjaret e mi dhe këtu në Angli. Në fillim, sapo kishim ardhur, nuk ka pasur restorante me gatime tradicionale shqiptare dhe na shkonte mendja te ndonjë ëmbëlsirë, andaj mundohesha të mësoja përmes internetit apo tv dhe i shkruaja recetat në letër”.

Kjo grua e zonja në kuzhinë dhe jetë, tregon se si në kohën e Covidit postonte shume here ne adresen e saj private gatime qe bënte për familjen e saj dhe kështu i erdhi një ide te hap një adrese vetëm për gatime, gjë që edhe e realizoj.

“Me kalimin e kohës njerëzit i shihnin postimet ne faqe, iu pëlqente mënyra se si unë i prezantoja, puna e pastër e çdo gjë dhe filluan të më shkruanin nëse do kisha mundësi të merrja porosi.
Ne fillim më dukej e paarritshme dhe e kisha dhe me frike, sepse nuk është se kisha bërë ndonjë kurs gatimi, thjeshtë ishte një pasion për gatimin dhe nuk e dija si do reagojnë klientët a do jenë të kënaqur me punën, time por gjithsesi, mbas gjithë mendimeve që më vinin ne kokë, fillova të marr porosi”.

Të shtojmë se ajo bënë gatime si byrek, flija, ëmbëlsira e tava nga gjitha llojet.

“Flijë e Kukësit me saç dhe është më e kërkuara nga klientela ime këtu në Londër. Në fillim adresa ka pas emër tjetër, por duke parë që porositë ishin të gjitha për gatimet tona tradicionale dhe me gatimet tona po risillja shijen e gatimeve që nënat tona na bënin, mendova ti vendos emrin Shija e Traditës. Të shtoj se porositë merren nëpërmjet instagramit ku dhe kemi një adresë ku dhe dërgohen porositë për klientët tanë. Bëjmë dhe dërgesa patjetër kur kemi porosi të mëdha me raste festash familjare.

Valentina thotë se punën që e bënë nuk do ta ndërronte me asnjë punë tjetër. “Kur më pyesin a e mendon të fillosh një punë diku tjetër, menjëherë u them se jam e kënaqur me punën time në shtëpi ku dhe punoj dhe shoh fëmijët e mi, e kujdesem për ta në të njëjtën kohë.

Më ka munguar prania e prindërve të mi në shtëpi kur isha fëmije sepse gjithë kohës kanë qenë në punë dhe gjyshja kujdesej për ne. Mbaj mend një rast, isha shumë e vogël dhe hyra në dhomën e prindërve të mi me nënën e babit dhe tavani i dhomës ishte bërë me bulëza uji edhe i thashë nënës: “A e sheh se edhe dhoma po qan për mamin tim “. Aë shumë e mërzitur isha. Faleminderit Zotit në këtë kohë e kemi vetë në dorë e zgjedhim punën e kohën kur duam të punojmë”.

Kjo zonjë që bënë më te mirën në profesionin e saj, ka edhe një mesazh. “Mesazhi im është kurrë mos u dorëzoni në jetë për asgjë. Nëse është një punë që të pëlqen ta bësh, dhe nëse e ke pasion, çdo gjë e arrin me besimin te i madhi Zot, çdo gjë realizohet. Por, kujdesuni për fëmijët, shpenzoni kohë sa më shumë me ta sepse kjo kohë është më e çmuara në këtë jetë. Kjo kohë kalon shumë shpejtë e vjen një ditë kur do na mungojë edhe ajo rrëmuja që bëjnë fëmijët me lodrat e tyre në shtëpi. Punë do kemi sa të jemi gjallë nëse duam të punojmë”.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]