Një rast vdekjeje e dyshimtë është regjistruar në orët e mbrëmjes të së hënës në qytetin e Gjilanit, ku një grua është gjetur pa shenja jete nga familjarët e saj.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se mbrëmë, familjarët e viktimës Bejaze Abdullahu, 62 vjeçare, kanë njoftuar autoritetet se e kanë gjetur familjaren e tyre të shtrirë në tokë, pa shenja jete.
Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë menjëherë ekipi i Emergjencës së Gjilanit, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Policia ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka informuar njësitë relevante. Në vend kanë dalë edhe Njësia e Hetimeve të Krimeve të Rënda dhe Forenzika, të cilët kanë kryer ekzaminimin e detajuar të rrethanave në terren.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që trupi i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe i është referuar hetimeve të mëtejshme nga NJHP.