fbpx

Violeta Arbëri, grua të cilën e lakmojnë të gjitha femrat

nga Revista Kosovarja

Violeta Arbëri është zonja që u shndërrua në imazh kopertinash, jo vetëm për pamjen, elegancën dhe stilin që posedon, por, mbi të gjitha, për atë që është dhe përfaqëson – shembullin e një femre ideale.

Është grua e përfshirë në biznes, menaxhere e shkëlqyer, bashkëshorte dhe nënë tejet e dedikuar. Përtej të gjitha këtyre, Violeta është nga ato zonja që falë hireve, elegancës dhe stilit të rafinuar, nuk kalon assesi pa u identifikuar.

Zonja për të cilën shkruajnë mediet, e ndoshta e keni në listën e personave që ndiqni në “Instagram”, ka një histori të tërë për të rrëfyer, një storie suksesi që mund të shërbejë si motiv për shumë femra.

Kush është Violeta Arbëri?
Violeta është model i gruas, e cila ka arritur të balancojë në mënyrën më të mirë rolin e të qenit grua e përkushtuar në zhvillimin personal, për bashkëshortin, dy djemtë dhe familjen, në njërën anë, si dhe, njëkohësisht, duke qenë e angazhuar në biznes, modë, menaxhim dhe veprimtari të ngjashme me to.
Violeta është nga Peja, e martuar në Mitrovicë. Një pjesë të kohës e kalon në Cyrih të Zvicrës, kohën tjetër në Prishtinë.

Nëse do të duhej ta përshkruaje veten si do e bëje?
– Modeste, e sinqertë, besnike, grua lojale.

Cila është puna që të përmbushë në aspektin profesional?
– Jam në cilësinë e menaxheres dhe drejtueses në disa biznese familjare, por kreativitetin dhe pasionin më të madh e kam në “Real Estate” (patundshmëri).

Së fundi, keni ndërmarrë një bashkëpunim me Ajkune Ahmetin?

– Po, fjala është për një qendër bukurie ekskluzive për nga shërbimet dhe mënyra e organizmit të punës, që është në qendër të Cyrihut, konkretisht në qendër të Orlikonit.
Objektin 10 katesh të kësaj Qendre e kemi ndërtuar ne, në Qendër të Orlikonit, pikërisht te Stacioni hekurudhor, brenda të cilit objekt e kemi ndarë një lokal në të cilin do të ofrohen shërbime të estetikës dhe bukurisë.
E veçanta e këtij projekti është bashkëpunimi me gruan më të njohur shqiptare në këtë fushë, Ajkunen, të cilën e karakterizon profesionalizimi dhe përkushtimi në ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe profesionale për gruan.

Ju pëlqen të bërit biznes?
– Po, është përzgjedhja dhe orientimi im në karrierë.

Sa është sfidues biznesi për një grua?
– E para është aftësia dhe kompetenca profesionale të cilën, nëse e zotëron, sfidat janë vetëm rrugë të kalueshme për zhvillim të mëtejmë, por për mua ka qenë më kuptimplotë dhe më vizionare rruga e biznesit fal fatit të të pasurit bashkëshortin tim (fal suksesit dhe emrit të mirë që gëzon në biznes), si mbështetësi dhe këshilluesi më i mirë.

Nga postimet duket se jetoni në luks. A është kjo pak a shumë ta jetosh çdo ditë ëndrrën e shumë njerëzve?

– Fal punës së pandalshme, vizionit të qartë se çka dëshirojmë në jetë dhe fatit që na ka përcjellë në jetë, jetojmë ëndrrën tonë sipas mënyrës sonë.

Visheni bukur dhe me stil, gjithmonë me brende?
– Po, unë e shoh veshjen si pjesë shumë me rëndësi të stilit tim të të jetuarit. Andaj, shija e veshjes është pjesë e pandashme e jetës sime, së cilës i kushtoj rëndësi dhe kohë të mjaftueshme.

Dukeni shumë e freskët. Sekreti i bukurisë suaj?
– Në radhë të parë është pjesa gjenetike. Është ushqimi shpirtëror dhe mendor, të cilën e përmbushë në familje. Jam shumë e kujdesshme në ushqim. Pastaj, angazhimi, aktivitetet rekreative, pushimet në destinacione të ndryshme brenda vitit etj.

Çka mendon kur je para pasqyrës?
– Ndihem mirënjohëse dhe e falënderojë Zotin për dhuntitë që m’i ka dhuruar.

Ju jeni bashkëshorte dhe nënë. Mund të na shpalosësh pak më shumë mbi jetën private?

– I kam dy djem, e që sa herë i vështroj më mbushin me jetë dhe më shtojnë mirënjohjen ndaj Zotit për cilësitë e tyre dhe, pa dyshim, bashkëshortin tim, Jimmin, bashkëshort shembullor dhe përkrahës jetësor.

Personi ose gjëja me vlerë të pakrahasueshme në jetën tënde?
– Familja ime.

Jetoni sa në Zvicër sa në Kosovë. Megjithatë, ku të fle më shumë zemra?
– Pa dyshim, Zvicra është qendra e aktivitetit jetësor, por Kosova na tërheqë më shumë, veçanërisht shtëpia ime në Prishtinë.

Planet e ardhshme?
– Projekte të reja dhe të cilat pres të realizohen së shpejti.

Porosia për femrat?
– Investoni në zhvillimin tuaj personal dhe profesional, duke u bërë model në shoqëri, si dhe përdore zërin tënd për t’i inkurajuar dhe shtyrë gratë tjera në jetë. Dhe, sigurisht, mos u dorëzoni në qëllimet dhe idealet tuaja, ia ke borxh vetes dhe secilës grua të rruzullit tokësor. Nderim Neziri /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]