fbpx

Zgjedhjet lokale 2025, analistët: Gara do të jetë sfiduese

nga Revista Kosovarja

Zgjedhjet lokale 2025 ka qenë temë diskutimi në RTKPrime, ku analistët diskutuan për sfidat dhe risitë e këtyre zgjedhjeve nëpër komunat e Kosovës.

Besa Luzha, analiste politike, shprehu dilemën se si do të shkohet në zgjedhjet lokale kur punët në krijimin e institucioneve qendrore ende nuk janë krijuar. “Çka kanë për të ofruar qytetarëve në zgjedhjet lokale, kur detyrën kryesore ende nuk e kanë realizuar”, theksoi ajo.

Po në këtë vazhdë edhe analistja Fatime Hajdari tha se situatën e bën edhe më të paqartë dhe më të paorganizuar sa i përket fushatës në zgjedhjet lokale, sepse, sipas saj, edhe këto zgjedhje janë të rëndësishme, sepse edhe aty ka pushtet, ku, në bazë të tyre, partitë politike shtrijnë potencën e tyre politike.

”Sikur të ishte krijuar Kuvendi, në zgjedhjet lokale do të mund të përcaktohej se kush kënd do të mbështeste në nivele lokale, kurse tani nuk kemi idenë se kush do të marrë mbështetje pas balotazhit në zgjedhjet që do të vijnë. Pra telashja më e madhe tani është organizimi i vetë subjekteve politike”, tha Hajdari.

Muhamet Hajrullahu tha se fokusi i partive politike po shihet te zgjedhjet lokale. Kjo, sipas tij, vërehet me rishpallje n e kandidaturave në këto tri ditët e fundit.

”Kalkulimet politike në nivelin qendror kanë të bëjnë edhe në nivelet lokale”, tha Hajrullahu, teksa shtoi se risi do të mund të konsiderohej deklarimi i ‘Alternativës’ që në këto zgjedhjet lokale do të garojë si e vetme, jashtë LVV-së, si dhe ‘Nisma Socialdemokrate’, gjithashtu do të garojë si e vetme.

Hajrullahu nënvizoi se koalicionet e partive politike për balotazh kanë rëndësi për një qeverisje në të ardhmen.

Duke folur për zgjedhjet lokale në Prishtinë, Luzha tha se për kryetarin aktual beteja do të vështirësohet edhe më shumë, sepse është kundër të gjithë kundërshtarëve politikë. Ajo vlerëson se ndoshta do të ishte më mirë që të fitohet gara në nivele lokale, ngjashëm me ato qendrore, sepse, shtoi ajo, njerëzit janë mërzitur nga bllokadat që bëhen edhe në nivele lokale.

Ndërsa Hajrullahu tha se kryetarët aktualë në zgjedhjet e ardhshme lokale nuk e kanë të sigurt fitoren, sepse, sipas tij, premtimet nuk do të kalojnë sikurse në të kaluarën dhe, për më tepër, qytetarët janë vetëdijesuar.

E Hajdari tha se nganjëherë pengesat të tilla janë shërbyer edhe si justifikime për mos angazhimin e duhur në dikastere të caktuara në nivel lokal. Por, sipas saj, krahasuar me komunat tjera të Kosovës, gara në Prishtinë do të jetë më interesante.

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]