fbpx

Zjarr masiv mbi fshatin Corroticë në Preshevë, autoritetet në alarm dhe thirrje për kujdes maksimal

nga Revista Kosovarja

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë zonën pyjore mbi fshatin Corroticë në komunën e Preshevës, duke shkaktuar shqetësim në mesin e banorëve dhe autoriteteve lokale.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila tha se flakët janë përhapur me shpejtësi dhe situata është serioze. Për këtë arsye, është aktivizuar menjëherë Shtabi për Situata të Jashtëzakonshme, i cili është në koordinim të plotë me ekipet e zjarrfikësve që ndodhen aktualisht në terren.

“Janë kontaktuar edhe shtabet përkatëse në Vrajë dhe komunat përreth për ndihmë të menjëhershme. U bëjmë thirrje të gjithë banorëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve”, shkroi Sinani në një njoftim zyrtar.

Kryetarja ka apeluar gjithashtu që të shmangen ndezjet e zjarreve, sidomos në zonat pyjore dhe afër shtëpive, duke kërkuar kujdes të shtuar në të gjitha pjesët e komunës për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Autoritetet lokale janë në gatishmëri të lartë ndërsa përpjekjet për lokalizimin e zjarrit po vazhdojnë. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, por rreziku mbetet i lartë për shkak të erërave dhe thatësisë së madhe në rajon.

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]