Një 39 vjeçare nga Istogu e konfirmuar me koronavirus ndërroi jetë dje.
Viktima, sipas familjarëve dhe mjekëve kishte edhe probleme të tjera shëndetësore, përfshirë komplikime që kishte pasur me lukthin, teksa e njëjta i ishte nënshtruar edhe një operacioni.
E pacientja në fjalë, kishte pasur kontakte edhe me një numër të madh të personave të tjerë, të cilët tashmë janë identifikuar nga ekipet mjekësore.
Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Istogut, Mujë Osmanaj, për lajmi.net konfirmoi se pas datës 16 prill, kontakteve të 39-vjeçares në fjalë do t’u bëhen testet për COVID-19.
Siç tregoi Osmanaj, janë diku rreth 21 kontakte të cilat janë identifikuar nga ekipet emergjente.
“Janë identifiku rastet e kontakteve, dhe po presim periudhën prej shtatë ditëve, pra po presim pas të 16-tit. Ka pasur kontakte, janë diku rreth 21 të tilla që janë identifikuar, ngase ajo ka pasur kontakte edhe me ekipin e emergjencës, pastaj me familjarë të ndryshëm në Skenderaj”, bëri të ditur Osmanaj për lajmi.net.
Ndryshe, deri tani në Kosovë janë konfirmuar gjithësej 377 raste me koronavirus, teksa Istogu është ndër komunat e fundit që u prek nga COVID-19.
Po ashtu, në Kosovë tashmë janë shënuar tetë viktima dhe 63 të shëruar.