fbpx

55 OJQ i dërgojnë letër Konjufcës, kërkojnë shkarkimin e deputeteve Balje dhe Demi-Murtezi nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut

nga Revista Kosovarja

55 organizata joqeveritare i kanë dërguar letër kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, të cilit i kanë kërkuar të ndërmarrë nismë për shkarkimin e kryesueses së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje dhe anëtares së këtij Komisoni, Labinotë Demi-Murtezi, për shkak të “deklaratave të tyre homofobike”.

“Me datë 07.02.2024, gjatë takimit të këtij komisioni me shoqërinë civile të thirrur nga Duda Balje me temën “Gjendja aktuale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë” ne u përballëm me një tjetër demonstrim të homofobisë dhe diskriminimit ndaj komunitetit LGBTIQ+ nga zyrtare publike, njëherësh përfaqësuese e popullit të Kosovës”, thuhet në reagimin e OJQ-ve.

“Kërkesat tona janë të thjeshta dhe të qarta: HOMOFOBET S’KANË VEND N’KUVEND! Ne nuk mund të pranojmë që një individ me pozitë kaq të rëndësishme, siç është kryetarja e Komisionit për të Drejta të Njeriut, të shpërdorë pozitën dhe të shfaqë qëndrime homofobe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, vijon reagimi i tyre.

Sipas OJQ-ve, Balje vazhdimisht ka qenë e palëkundur në qëndrimet kundër personave LGBTIQ+, ndërsa e kanë akuzuar deputeten Demë-Murtezi për deklarata shpifëse.

“Duda Balje, në deklaratat e saj publike, ka mbetur e palëkundur në qëndrimin e saj diskriminues ndaj personave LGBTIQ+. Duke përdorur argumentin e “mendimit personal,” ajo ka injoruar faktin se funksionet publike, veçanërisht ato në fushën e të drejtave të njeriut, duhet të kujdesen për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të çdo individi, pavarësisht orientimit seksual apo çfarëdo përkatësie tjetër. Deklarata shpifëse dhe diskriminuese vazhduan edhe nga deputetja Labinotë Demi Murtezi, prezente në këtë takim, që publikisht deklaroi që “PERSONAT LGBTIQ+ TRANSMETOJNË SËMUNDJE”, deklaratë të cilin e kemi dëgjuar edhe më parë nga ajo në seancën parlamentare të 16 marsit të vitit 2022”, thuhet tutje në reagimin e përbashkët të 55 OJQ-ve.

Balje dhe Demi-Murtezi, sipas tyre, nuk mund të përfaqësojë objektivitetin dhe pavarësinë e një Komisioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

“Homofobia dhe diskriminimi nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Me këtë rast, kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Duda Balje nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejta të Njeriut. Nuk mund të lejojmë që një person me qëndrime diskriminuese të drejtojë një institucion kaq të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë. Njëherit, kërkojmë edhe shkarkimin e Labinotë Demi Murtezi nga ky komision për gjuhën e saj shpifëse dhe të urrjetjes ndaj personave LGBTIQ+. Ne kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të reagojë menjëherë dhe të ndërmerr masa për të garantuar se pozitat publike janë të mbajtura nga persona që respektojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut pa dallim për të gjithë ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]