Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar sot se të gjitha partitë politike duhet të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen për emrin e presidentit të ri të vendit.
Hoti ka thënë se tani pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale dhe dorëheqja e presidentit Hashim Thaçi, në Kosovë është krijuar një situatë e re politike.
Ai po thotë se partitë politike kosovare duhet të ulen, të flasin dhe të gjejnë një zgjidhje për postin e presidentit, ndryshe thotë se vendi do të shkojë në zgjedhje.
“Presidenti i vendit nuk është në detyrë dhe ne duhet të marrim veprimet kushtetuese për të tejkaluar këtë situatë dhe partitë duhet të ulen bashkë për zgjedhjen e presidentit ose për të shkuar në zgjedhje”, tha Hoti.
“Ende nuk ka konsultime me parti politike, besoj se shpejti do të ulemi të gjitha partitë për të gjetur zgjidhje. Unë në këtë moment jam i angazhuar për menaxhimin e pandemisë në këtë situatë të rëndë me Covid-19”, tha Hoti, transmeton Gazeta Metro.
Ndryshe Hoti nuk ka komentuar deklaratat e fundit të Listës serbe lidhur me qëndrimet e tyre për koalicionin qeverisës dhe mungesën e tyre në kuvend.
Madje Hoti nuk ka pasur as shpjegim se pse nuk po publikohet numri i të prekurve në katër komunat e Veriut të Kosovës./