Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës ka lëshuar një letër adresuar mediave. Këtë letër, Zyra e Presidentit e ka quajtur deklaratë të përbashkët të ushtrueses së detyrës së presidentit Osmani dhe Ambasadori William Walker.
Në njoftim thuhet se Vjosa Osmani dhe William Walker biseduan personalisht për të rikonfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin mes tyre. Ata ranë dakord që të punojnë së bashku për të siguruar njohje të reja për Kosovën dhe për të avancuar sundimin e ligjit në vend.
Dje u raportua se Vjosa Osmani nuk ia ka vazhduar kontratën William Walkerit si këshilltar i presidentit.
“Ka skadu kontrata dhe nuk e kemi vazhdu. Ka skadu, nuk është më në fuqi kontrata. Pra, nuk e kemi vazhduar”, kishte thënë Osmani për T7.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë nga Presidenca:
DEKLARATË E PËRBASHKËT E U.D. PRESIDENTES OSMANI DHE AMBASADORIT WALKER
U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ambasadori William Walker biseduan personalisht për të rikonfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit.
Z. Walker ka qenë një mik i devotshëm i popullit të Kosovës gjatë ditëve tona më të errëta dhe do të mbetet i tillë edhe tash e tutje.
U.d. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Walker ranë dakord të kultivojnë bashkëpunimin e ngushtë me njëri tjetrin. Siç është cekur në komunikimin me shkrim të realizuar në muajin nëntor, të dyja palët presin të punojnë së bashku për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare dhe më shumë njohuri për Kosoven si dhe për të avancuar sundimin e ligjit në vend.