Një person është gjetur pa shenja jete sot nga kujdestarja e familjes në Gjakovë. Viktima është 87-vjeçar, mashkull.
Me të marrë informatën, njësitet e hetuesisë rajonale kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
Rastin e ka konfirmuar Drejtori i Policisë rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta.
E ndërkohë është arrestuar një femër 58-vjecare, por për shkak të gjendjes së saj mendorë është hospitalizuar në repartin psikiatrik në Gjakovë.
“Sot rreth orës 12:05 Stacioni Policor në Gjakovë ka marr informatën për një trup të pajetë në një shtëpi në rrugën ”Sabrije Vokshi” Gjakovë. Viktima M/SH/K rreth 87 vjeçar është gjetur pa shenja jete nga kujdestarja e familjes. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet e hetuesisë rajonale, krim teknika dhe ekipi mjekësor i emergjencës të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Fillimisht, rasti është inicuar si hetim i vdekjes por më vonë gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe intervistimit të dëshmitarëve, në konsultim me Prokurorin e Shtetit është bërë rikualifikim i veprës penale nga hetim i vdekjes në Vrasje. Në cilësi të të dyshuarës është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë një femër rreth 58 vjeçare por e njëjta për shkak të gjendjes së saj mendore është hospitalizuar në repartin psikiatrik në spitalin rajonal ”Isa Grezda” në Gjakovë nën mbikëqyrje të policisë. Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Gjakovë”, ka konfirmuar për Express Graishta.