Ish-senatorja belge, Anne Marie Lizin, lidhur me importet e Kosovës nga Serbia, e kishte lidhur një fakt me një deklaratë interesante dhe thoshte: “Edhe sikur ajri i pastër të vinte vetëm nga Serbia dhe jeta ime të ishte e varur prej tij, të isha shqiptare nuk do e blija! Do të më dukej përbuzje ndaj të gjitha viktimave”, shkruan “Kosovarja”.
Dikur VV-ja, me aktivistët e vet shkonin në Merdare dhe me të hyrë maunet me mallra serbe në Kosovë i rrokullisnin…
E tash, statistikat tregojnë se qeveria Kurti e ka aktualisht importin nga Serbia rreth 310 milionë euro, nga vetëm 6 milionë sa kishte në vitin 2019 në qeverinë Haradinaj.
Kurti nuk ishte ithtar i taksës së qeverisë Haradinaj “100% taksë”, por ai proklamonte revanshin kundër Serbisë me reciprocitet, që do të thotë të sillet me të njëjtën përgjigje ndaj çdo sjelljeje të Serbisë.
Reciprociteti u nis dhe më nuk u përmend kurrë… E, sot Kosova importon nga Serbia shumicën absolute të mallrave…
Lidhur me këtë, ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në një intervistë për “Kosova Pres”, ka deklaruar se Kosova duhet të futet në “Open Ballkan”, pasi e bën gjithë tregtinë me Serbinë…
Sidoqoftë, krerët e VV-së kanë bërë propagandë të tmerrshme rreth ngritjes së çmimeve në Kosovë, në mandatet e të gjitha qeverive pa dallim.
Çka thoshin krerët e VV-së për rritjen e çmimit të naftës në vitin 2018?
“Veç thash t’ju tregoj që nafta në Kosovë (përfshirë akcizën dhe tatimet) po hyn me 0.90-0.95 euro/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë assesi të bie nën 1.20 euro/litër.
Dhe, krahas këtij vajtimi, ata proklamonin se kur të vinin në pushtet do ta ulnin çmimin e naftës dhe të rrymës, të produkteve ushqimore të shportës së përditshme, rritjen e pagës publike dhe rregullimin e pagës së sektorit privat me ligj dhe shumë e shumë gjëra të tjera.
Të gjitha ato premtime, e që i kanë bërë për ulje çmimesh, tash i kanë rritur pamëshirshëm!
Çmimi i naftës në treg është rritur globalisht dhe këtë e dinë të gjithë, por ajo që mund të bëjë qeveria është ulja e akcizës, bile për një përqindje…
Qeveria Kurti po futet në rrugë pa kokë edhe me veteranët e UÇK-së, që kërkojnë pagë të rritur minimale.
Mjekët po largohen nga puna dhe ikin jashtë, e një fat edhe më i keq me zbrazje të rinisë pritet të ndodhë pas liberalizmit të vizave, kur Kosova pritet të jetë pa fuqi punëtore. Safet Krivaça /Kosovarja/