Vitor Malota, i lindur me 12.9.1982 në fshatin Zhdrellë të Gjakovës, prej moshës 3 vjeçare jeton në Zvicër. Vitori është fëmija i dyte i Martinit dhe Tones e vëllai i dashur i Valbonës, Valentines dhe Valterit, që të gjithë së bashku kanë një lidhje tejet të fortë, që çmohet nga familja e ata që i njohin.
Vitor Malota, që jetën e tij qysh në rini të hershme e ka lidhur ngushtë me futbollin, shkollën fillore e kreu ne Wauwil, atë profesionale në Sursee dhe si i ri nisi të punonte e të pavarësohej, e gjithashtu bashkë me të atin ta ndihmonte pjesën tjetër të familjes në Kosovë.
Vitori qysh në moshë të re e filloj karierrën e tij të futbollit në FC Wauwil/Egolzwil, në kantonin e Lucernit. Vitor Malota, ishte lojtar i suksesshëm dhe si pasion që e kishte futbollin, e bëri dëshirën e tij realitet, duke u bërë trajner futbolli i fëmijëve të vegjël, ku edhe korri shumë suksese. Pasionin dhe angazhimin e tij rreth futbollit e ndërpreu në kohën e luftës në Kosovë, pasi nuk kishte zemër të merrej me pasionin e tij, por edhe se i duhet të punonte e të angazhohej më tepër për ta ndihmuar pjesën e mbetur të familjes në vendlindje.
Tutje, ai ndërroj vendbanim duke u shpërngulur në Menziken të kantonit të Aargaut. U martua në moshë të re me Angjelinën dhe u bë baba i një vajze te mrekullueshme, të quajtur Presilla. Pas nje kohe familjes se tij ju shtua edhe nje yll, i quajtur Sebastian. Ndërkohë, Vitori së bashku me vëllain e tij sot punon dhe si instalues profesionist i makinave CNC nga më te ndryshmet, për prodhimin e pjesëve metalike për firma të mëdha dhe të njohura në mbarë botën.
Ani pse i rritur ne mërgim, ai ka nje dashuri tepër të madhe për vendlindjen.
Por, çfarë ndodhi me pasionin dhe punën e tij në fushën e futbollit?
Lajmi i mirë është se nuk e ka lënë anash. Edhe në Reinach është trajner i suksesshëm i juniorëve. Në sezonin e kaluar 2021/22 kanë korrur suksese shumë të mëdha në turnirë dhe në kampionate të ndryshme të vendit. Qershia mbi torte në sezonin e fundit ishte transporti i ekipit të tij me një limuzinë luksoze tek një ndeshje mjaft e suksesshme, ku fituan 19:1, prandaj lojtarët e rijnë e kishin merituar të shëtitshin me limuzinë luksoze që të ndiheshin si VIP-a, si idhujt e tyre të mëdhenj.
Vitori sot drejton njërin prej ekipeve te juniorëve D ne FC Menzo-Reinach dhe si trajner i suksesshëm synon ti përgatis fëmijët për karrierë sa më të sukseshme në të ardhmen. Vitor Malota ka fituar zemrat e “djemve të tij” që i stërvit si futbollistë të së ardhmes, por edhe të prindërve dhe komunitetit, kjo falë angazhimit të jashtëzakonshëm dhe sjelljes së shkëlqyer.
Ky është Vitor Malota, një shqiptar i madh, i cili nuk ndalet asnjëherë, e që gjithmonë e ka gëzuar edhe mbështetjen dhe përkrahjen e plotë të familjes.