Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës ka shkarkuar Kryeshef Ekzekutiv të Postës së Kosovës, Shefqet Avdija, dhe zyrtarin kryesor Financiar të Postës Behxhet Maliqi.
Derisa po mbahej kjo mbledhje afër ndërtesës së Postës dhe Telekomit kishte zyrtarë policorë, ku sipas zëdhënësit të Telekomit Menduh Abazi policia ishin ftuar për t’i asistuar në mbajtjen e mbledhjeve.
Për shkarkimin ka njoftuar edhe vet Shefqet Avdijaj i cili përmes një komunikate e ka quajtur këtë vendim politik.
Ky është reagimi i tij i plotë:
Veglat politike të pushtetit, nën vëzhgimin e policisë, ndërhynë paligjshëm në Postën e Kosovës
Njoftoj opinionin publik dhe të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës se sot Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës ka bërë ndërhyrje politike duke marrë vendim të paligjshëm dhe të pabazuar në asnjë fakt për shkarkimin t im nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor Financiar, Behxhet Maliqi.
Përveç kësaj, rreth gjysmë ore pas fillimit të takimit, dhjetëra policë kanë ardhur para hyrjes së Postës dhe të tjera brenda Postës, pranë derës së zyrës ku mbahej takimi. Posta nuk ka ftuar policinë sepse nuk ka pasur asnjë arsye. Bordi dhe shefat e tyre kanë bërë veprim skandaloz me involvimin e Policisë brenda Postës duke shqetësuar punëtorët dhe duke dëmtuar imazhin e ndërmarrjes publike.
Unë jam emëruar në këtë pozitë më 14 tetor 2019 përmes konkursit të rregullt publik dhe deri më sot as ky Bord as ndonjë organ apo institucion tjetër nuk ka gjetur as nuk mund të gjej asnjë veprim të dëmshëm ose joligjor, përveç punës përballë sfidave të mëdha me të cilat jemi përballur që nga dita e emërimit.
Vështirësitë financiare të Postës së Kosovës datojnë që nga ndarja e Postës nga Telekomi i Kosovës (Vala) në vitin 2012.
Ndërkaq, vitin 2019 e kemi përmbyllur me përformancë pozitive, përkatësisht me rritje prej 4 për qind, të të hyrave. Prejse jam zgjedhur në këtë pozitë nuk është bërë asnjë udhëtim zyrtar, nuk ka pasur asnjë shpenzim nga ana ime as nga pjesa tjetër e menaxhmentit.
Po ashtu, nuk ka pasur asnjë punësim, kontratë mbi vepër, etj, por ka pasur ulje të mëtejme të çdo shpenzimi të mundshëm operativ.